Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme (13 Tetor) në Tiranë, teksa raportohet humbja e jetës së një të mituri 13-vjeçar, vetëm pak pasi familjarët e tij e dërguan në gjendje të rëndë për mjekim në QSUT.
Policia e kryeqytetit konfirmoi se rreth orës 18:15, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i shoqëruar nga familjarët, një i mitur 13 vjeç, banues në Gurrë të Petrelës, i cili “pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët ka ndërruar jetë”.
Mjekët thanë se fëmija ishte dërguar pa shenja jete. Viktima është O.L., i vitlindjes 2011. Ai është gjetur në dhomë nga familjarët.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia.
Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje, pasi fëmija ka pasur edhe shenja rreth qafës, por ekspertët dhe prokurorët do jenë ata që do përcaktojnë pas ekzaminimeve shkaqet e vdekjes në mënyrë shkencore me ekspertizë mjeko-ligjore. Në pyetje do merren edhe familjarët e të miturit.