“Krijuat uraganin”, meteorologët amerikanë kërcënohen me vdekje pas teorive konspirative
Meteorologët që kanë monitoruar lëvizjen e uraganit “Milton” janë bërë objekt i shumë teorive konspirative, duke u akuzuar se po e kontrollojnë motin. Disa prej tyre madje kanë marrë kërcënime me vdekje. Sipas gazetës “The Guardian”, niveli i dezinformatave ka arritur një kulm të paimagjinueshëm, veçanërisht pas dy uraganeve të mëdha që goditën Shtetet e Bashkuara.
Drejtoresha e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave ka theksuar se kjo situatë ka penguar ndihmën për komunitetet e prekura. Katie Nickolaou, një meteorologe nga Michigan, ka përjetuar pasojat e këtyre teori konspirative, duke marrë mesazhe që pretendonin se uraganet ishin të kategorisë së gjashtë, dhe se meteorologët apo qeveria ishin ata që i krijonin dhe udhëhiqnin këto stuhira. Disa madje kanë sugjeruar që shkencëtarët duhet të vriten dhe radarët të shkatërrohen.
“Ka qenë e paimagjinueshme të shohësh se sa shumë dezinformata janë grumbulluar. Ne jemi duke u përpjekur të shuajmë zjarret e informacionit të gabuar kudo,” tha Nickolaou.
“Disa njerëz më thonë se unë e krijova uraganin, dhe se ne e kontrollojmë motin. Unë duhet të theksoj se një uragan ka energjinë e 10 mijë bombave bërthamore, dhe nuk mund të presim ta kontrollojmë atë. Por kjo retorikë është bërë më e dhunshme, sidomos nga ata që thonë se ata që e krijuan uraganin Milton duhet të vriten,” shtoi ajo.