Konkursi për gradën ‘drejtues’ në Policinë e Shtetit mund të zhbëhet. Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar një padi të kryekomisar Pal Marku ku Kërkohet anulimi i procedurave, pasi janë konstatuar një sërë shkeljesh për të favorizuar të preferuarit.
Konkursi për gradën drejtues, kur policia drejtohej nga Muhamet Rrumbullaku dhe ministër i brendshëm ishte Taulant Balla, mund të zhbëhet me vendim gjykate.
Kjo do të rrezikonte futjen në kolaps të gjithë procedurës së gradave në radhët e uniformave blu, madje do te vinte ne pikëpyetje dhe kryepolicin e ri që u zgjodh Ilir Proda, i cili gradën “drejtues” para se të merrte atë “madhor” me vendim qeverie, e mori nga ky konkurs i atakuar tashme në gjykatë.
Sipas padisë së siguruar nga Euronews Albania, Kryekomisar Pal Marku kërkon anulimin e procesit që u zhvillua nga shkurti deri në prill të këtij viti me pretendimin se mënyra se si u procedua për gradën “Drejtues”, nxori në pah shumë paligjshmëri.
Pavarësisht rezultatit me shkrim ndaj tij dhe disa kolegëve, sipas kryekomisarit, Komisioni i Vlerësimit iu dha shumë pak pikë qëllimisht në testin me gojë. Po ashtu sipas Markut , ish-kryepolici Rrumbullaku ndërroi rregullat dhe kriteret e vlerësimit në mënyrë të paligjshme ndërsa komisioni apelimit nuk ka marrë parasysh asnjë kontestim nga kryekomisarët.
Duket se pas ngritjes së kësaj padie, një numër i konsiderueshëm i kolegëve të Markut, kanë pasur interes të përfshihen si palë në gjykim, me të njëjtat pretendime.
/a.r