Nga Benjamin Studebaker
Kohëve të fundit interneti është mbushur plot argumente lidhur me meritat dhe të metat e Bernie Sanders dhe Hillary Clinton. Gjatë dy javëve të fundit, kam diskutuar dhe menduar për të gjitha pikëpamjet e ndryshme për këtë, dhe jam gjithnjë e më shumë i mendimit që shumica e njerëzve të përfshirë në këtë debat, në të vërtetë, nuk e kuptojnë se çka rrezikohet në zgjedhjen e kandidatëve demokratë.
Kjo, pjesërisht pse shumë amerikanë, në të vërtetë, nuk e kuptojnë historinë e politikave të majta dhe nuk mendojnë për çështjet e politikave në mënyrë holistike, strukturore. Kështu që, në këtë shkrim, dua që, me të vërtetë, të thellohem në atë se cili është dallimi mes Bernie e Hillary dhe pse ky dallim është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Ne kemi një tendencë në politikat amerikane të fokusohemi tepër në individë dhe tregime personale, veçanërisht në fushatat presidenciale. Kush është në kontakt me njerëz të zakonshëm? Kush është me përvojë? Kush është njeri i mirë? Kush lidhet më mirë me grupe të ndryshme identiteti? Më kë do të dëshironit ta pinit një birrë? Kjo ndodh në një shkallë të gjerë sepse shumë demokratë dëshirojnë të mendojnë për Hillary-n dhe Bernie-n si shije të ndryshme të kokoshkave të njëjta në Partinë Demokratike.
Si pasojë, ata kryesisht vetëm i kushtojnë vëmendje asaj se me cilin kandidat ata ndihen se mund të identifikohen më lehtë. Por Sanders dhe Clinton përfaqësojnë dy ideologji shumë të ndryshme. Secila nga këto ideologji dëshiron kontroll të Partisë Demokratike në mënyrë që resurset e kësaj partie të mund të përdoren për të avancuar një konceptim tjetër të asaj se si duket një shoqëri e mirë. Kjo nuk është çështje shijeje dhe këto nuk janë shije kokoshkash.
Cilat janë këto dy grupe? Bernie Sanders përshkruan veten si socialdemokrat, ai e lidhë vetveten politikisht me Franklin Roosevelt dhe Lyndon Johnson, me Marrëveshjen e Re, Shoqërinë e Re. Për ta kuptuar se çfarë do të thotë kjo, ne duhet ta dimë historinë e kësaj ideologjie. Me politikat e djathta ekonomike të Calvin Coolidge në vitet ’20-të, pabarazia ekonomike në Shtetet e Bashkuara kulmoi:
Investimi është zakonisht gjë e mirë, ndihmon bizneset për ta rritur prodhimin e tyre dhe krijon vende pune. Por me konsum të ulët, bizneset kanë pak arsye për ta rritur prodhimin, sepse askush nuk do t’i blejë mallrat dhe shërbimet shtesë të siguruara. Kështu që, në vend të kësaj, bizneset të cilat marrin investime kanë tendencë t’i ri-investojnë ato para në vend se t’i përdorin për t’u rritur. Ai investim sillet nëpër sistemin financiar dhe akumulohet në flluska spekulative, vende si tregu i letrave me vlerë, tregu i strehimit, tregu i mallrave, apo tregje të ndryshme të jashtme.
Këto pasuri bëhen në mënyrë masive të mbivlerësuara deri sa një ditë, tregjet e vërejnë mbivlerësimin. Pasuritë shkatërrohen në vlerë dhe flluska shpërthen. Njerëzit të cilët mbështeten në këto pasuri për të paguar borxhe të tjera hyjnë në probleme të rënda, dhe sëmundja ngjitëse mund të shpërndahet nëpër ekonomi me pasoja tmerruese.
Kështu që, çfarë bëri e majta?
Siç mund ta shihni në tabelën më lart, mes viteve ’30-të dhe ’70-të, Shtetet e Bashkuara reduktuan në mënyrë drastike pabarazinë. Rishpërndanë pasurinë nga lart në mes dhe poshtë, duke rezultuar në ngritje të vazhdueshme të pagave dhe si pasojë ngritje të vazhdueshme të konsumit. Kjo lejoi që investimet të vihen në përdorim efektiv sepse shtresa e ulët dhe e mesme ngriheshin, ato ishin në gjendje t’i mbështesnin shpenzimet shtesë për të cilat pronarët e bizneseve kishin nevojë për t’u rritur me sukses.
Kjo u arrit përmes një seri politikash të cilat po të ishin propozuar sot, do t’i godisnin shumicën e amerikanëve si socialistë, Sigurimi Shëndetësor, Medicare, Medicaid, ndihma sociale, të drejtat e forta të sindikatave, pagat e larta minimale, normat e larta margjinale të tatimit për të pasurit (me një top normë prej 90 përqind me Eisenhower), dhe zbatimi i fortë i rregulloreve financiare dhe ligjeve anti-trust.
Kandidatët presidencial demokratik të cilët mund të lidhen me këtë traditë ideologjike përfshijnë Franklin Roosevelt, Harry Truman, Adlai Stevenson, John F. Kennedy, Lyndon Johnson, Hubert Humphrey, dhe George McGovern. Kaq. Duke filluar me Jimmy Carter në vitin 1976, Partia Demokratike u bë diçka tjetër, diçka që nuk ishte më ideologjikisht vazhdimësi e saj. Edhe Partia Republikane pranoi në një shkallë të madhe nevojën për këto politika gjatë kësaj periudhe Eisenhower dhe Nixon mbështetën dhe edhe zgjeruan pjesë të këtij sistemi i cili mbajti investimet dhe konsumimin në balancë.
Kam shkruar në detaje për atë se çfarë ndodhi në vitet ’70-të diku tjetër, por përmbledhtazi është se në vitet ‘70-të ndodhën dy goditje në sektorin e naftës, në të cilat çmimi i naftës u ngrit shumë shpejtë (embargo OPEC në fillim të viteve ‘70-të dhe Revolucioni Iranian në fund të dekadës). Ngritja e çmimeve të naftës krijoi stagflacion, sepse ngriti në mënyrë drastike çmimin e mallrave gjatë një hapësire kohore shumë të shkurtër. Kjo reduktoi konsumimin, duke dëmtuar rritjen ekonomike, në të njëjtën kohë duke bërë qeveritë të rrisin pagat në përpjekje për të parandaluar punëtorët nga humbja e shpejtë e fuqisë blerëse, duke krijuar inflacion.
Për ta zgjidhur këtë problem, qeveritë duheshin t’i stabilizonin çmimet e naftës dhe ta reduktonin varësinë nga nafta e huaj. Ata gjithashtu kanë mundur t’i lejonin pagat reale të uleshin përkohësisht deri sa të ishte arritur ajo (në tandem me një rrjetë të fortë të sigurisë shoqërore për t’i mbrojtur ata në fund të tabelës së pagave).
Në vend të kësaj, çfarë ndodhi ishte se e djathta kooptoi krizën e naftës duke pretenduar që i tërë projekti i balancimit të investimeve me konsumin ishte në thelb gabim, se problemi ishte që nuk kishte investime të mjaftueshme dhe tepër konsum. E djathta u nis nga një platformë politike të reduktimit të fuqisë së sindikatave, reduktimit të vlerës së vërtetë të pagës minimale, reduktimit të shpenzimeve për ndihmë sociale, reduktimit të taksave për të pasurit, dhe mosrregullimit të sektorit financiar.
Pabarazia, e cila në SHBA ishte në pikën e saj të ulët në vitin 1978, filloi të ngrihej me shpejtësi dhe gjatë mijëvjeçarit të ri shpesh iu është afruar niveleve të epokës së Depresionit të madh, duke pasur efektet e njëjta të dëmshme në konsumim të cilat i ka pasur herët në shekullin 20 dhe duke krijuar rrezikun e njëjtë ekonomik të flluskave dhe krizave financiare.
Shumë njerëz mendojnë se është Partia Republikane vetë ajo e cila është përgjegjëse për këtë, por duke filluar në vitin 1976 me Jimmy Carter, Partia Demokratike u kap me këtë ideologji të njëjtë, të cilës në rrethet akademike shpesh i referohet si neoliberalizëm. Tash në masë të madhe është harruar se ka qenë Carter, jo Reagan, ai i cili ka filluar të mos e rregullojë tregun. Vërtetë, gjatë zgjedhjes së kandidatëve demokratë të vitit 1976, kishte një lëvizje ABC-Anybody But Carter (Kushdo Përveç Carter).
Demokratët të cilët mbetën të përkushtuar ndaj ideologjisë egalitariane të partisë, me të drejtë kishin frikë se Carter ishte shumë i djathë dhe në mënyrë efektive do ta zhvishte partinë nga përkushtimi i saj historik për vazhdimësinë dhe zgjerimin e trashëgimisë së Roosevelt-it dhe Johnson-it. Mirëpo, garuan tepër kandidatë kundër Carter, duke e ndarë votën e majtë dhe duke e lejuar Carter ta fitojë nominimin.
Bill Clinton çoi partinë edhe më tej nga e djathta. Në vitin 1992, u drejtua në premtimin për të “përfunduar me ndihmën sociale ashtu siç ne e njohim”, një hedhje poshtë totale e trashëgimisë Roosevelt/Johnson. Me ndihmën e republikanëve, Clinton ishte përfundimisht i suksesshëm në heqjen e programit të ndihmës sociale. Clinton gjithashtu ka nënshkruar projektligje të rëndësishme të mosrregullimit të tregut të cilat janë shndërruar në ligje, siç është “Commodities Futures Modernization Act” dhe “Gramm-Leach-Bliley Act”.
Shumica e ekonomistëve fajësojnë njërën apo të dyja ligjet për ndihmesë të drejtpërdrejtë të krizës së strehimit në vitin 2008 (ka një debat të fuqishëm për atë se cila është më e rëndësishme, me ekonomistët si Paul Krugman duke anuar nga Commodities Future Modernization Act si më e rëndësishme përderisa Robert Reigh argumenton Gramm-Leach-Bliley Act). Hillary Clinton i ka mbështetur këto masa në vitet ’90-të dhe ka vazhduar në disa raste të shprehë mbështetje për ato. Bill nënshkroi të gjitha këto ligje. Bernie Sanders ishte kundër reformave të ndihmës sociale dhe GLBA në atë kohë (ai ka votuar për CFMA ku ishte futur në mënyrë tinëzare në një ligj prej 11,000 faqesh të shpenzimeve në moment të fundit).
Zgjedhja e kandidatëve e vitit 2008 mes Hillary Clinton dhe Barack Obama nganjëherë faturohet si të ishte një garë mes dy ideologjive, por dallimi më i spikatur mes tyre ishte vota lidhur me luftën në Irak. Në politikat ekonomike, kurrë nuk kishte një dallim të fortë. Ligjet më të mëdha ekonomike u miratuan me Obama (Dodd-Frank dhe Affordable Care Act) nuk e kanë adresuar problemin e pabarazisë të cilin Partia Demokratike e viteve ‘30-të, ‘40-të, ‘50-të, ‘60-të dhe fillimit të‘70-tës i kundërvihej.
Pabarazia në pasuri, e cila u zvogëlua me Roosevelt, Truman, Kennedy, dhe Jonson, u ngrit me Carter, Clinton, dhe Obama:
Në politikat ekonomike, demokratët themelues bashkëkohorë kanë më shumë të përbashkëta me republikanët bashkëkohorë se sa që kanë me demokratët Roosevelt/Johnson. Carter dhe Clinton larguan partinë nga progresistët ekonomikë. Partia Demokratike, e cila kishte qenë një herë partia e cila kishte parë pabarazinë ekonomike dhe varfërinë si shkaqet thelbësore të jo-stabilitetit ekonomik, tani e sheh pabarazinë dhe varfërinë, në masë të madhe, si jo-relevante.
Në vend se ta eliminonin pabarazinë dhe varfërinë për ta ushqyer sistemin kapitalist dhe prodhuar rritje të fortë ekonomike, demokratët themelues tani në masë të madhe pajtohen me republikanët themelues se problemi është mungesa e mbështetjes për investime në biznese.
Kështu që Bernie Sanders nuk është vetëm duke garuar në përpjekje për ta zbatuar një strukturë të politikave idealiste të cilat në një Kongres të kontrolluar nga republikanët ka mundësi të bllokohen. Por ai po kandidon për ta rikthyer Partinë Demokratike prej një drejtimi i cili injoron problemet sistematike themelore ekonomike të cilat po çojnë në stagnim të pagave dhe krizë ekonomike.
Ata të cilët thonë se Partia Demokratike nuk mund të merret përsëri nga llojet e drejtuesve si Roosevelt/Johnson apo se nëse merret përsëri do të ngecë në zgjedhje kundër Grand Old Party, (Republikanët) po mendojnë shumë ngushtë. Në zgjedhjet e kandidatëve në vitet 1968 dhe 1976, ky tip i quajtur Ronald Reagan kandidoi për ta marrë Partinë Republikane prej llojit të Richard Nixon të cilët vazhduan me demokratët për ndihmën sociale dhe rregullimin në një ofertë për t’i rikthyer republikanët në rrënjët e Calvin Coolidge të viteve ’20-të.
Në atë kohë, plani i Reagan konsiderohej i krisur, të gjithë në vitet ‘60-të, ‘70-të e dinin se ekonomia e stilit Coolidge-t, i djathtë i fortë, çon në depresion dhe krizë. Por stagflacioni në vitet ‘70-të krijoi një mundësi për Reagan-in për t’i bindur republikanët dhe përfundimisht të gjithë vendin si të tërë drejt përvetësimit të plotë të një ideologjie plotësisht ndryshe e cila ishte më afër politikave të Coolidge se sa të Eisenhower apo Nixon.
Në vitet që nga 2008, shumë amerikanë, në veçanti të rinjtë, janë të gatshëm ta konsiderojnë mundësinë që neoliberalizmi, ideologjia ekonomike e përkrahur edhe nga republikanët post-Reagan edhe demokratët e post-epokës-Carter Clinton, është rrënjësisht me të meta dhe duhet të ripunohet apo potencialisht të zëvendësohet plotësisht.
Kjo mund të ndodhë vetëm nëse demokratët e kuptojnë se Bernie Sanders nuk është vetëm një shok, udhëtar më i majtë i Clinton-it. Kjo nuk është garë për të parë se cili do t’i udhëheqë demokratët, është garë për të parë se çfarë partie do të jenë demokratët në dekadat e ardhshme, cilat ideologji dhe cilat interesa, kauza, dhe çështje do t’i prioritizojë Partia Demokratike. Kjo e bën shumë më shumë të rëndësishme se çdo zgjedhje të kandidatëve të fundit.
Hera e fundit kur një zgjedhje e kandidatëve demokratë ka qenë kaq e rëndësishme, ka qenë në vitin 1976. Vetëm kësaj radhe, në vend të Kushdo Përveç Carter apo Kushdo Përveç Clinton, e majta ka Bernie Sanders, një kandidat përfaqësues për të cilin është shumë e lumtur. Shansi mund të mos vijë prapë për një kohë të gjatë.
Hillary Clinton është një ngritje neoliberale e trashëgimisë së Ronald Reagan dhe Bill Clinton-it. Ajo nuk e kupton rolin shumë të rëndësishëm që luan pabarazia në krijimin e krizës ekonomike dhe dobësimin e rritjes ekonomike. Ajo është udhëhiqet nga një paradigmë krejtësisht e djathtë, dhe nëse ajo zgjidhet do të vazhdojë ta drejtojë Partinë Demokratike drejt asaj rruge.
Bernie Sanders është një socialdemokrat që ringre trashëgiminë e Franklin Roosevelt dhe Lyndon Johnson. Ai e kupton se pabarazia është faktori thelbësor strukturor në krizë ekonomike dhe se rritja në paga reale dhe në të ardhura është e nevojshme për rritje ekonomike të fuqishme dhe qëndrueshme.
Nuk ka rëndësi cili ka më shumë përvojë, apo politikat e të cilit kanë më shumë shanse të kalojnë në Kongres, apo cili ka më shumë shanse t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme, apo cili është burrë dhe cila është grua. Kjo nuk është vetëm për zgjedhjet, apo vetëm për katër vitet e ardhshme.
Kjo ka të bëjë me atë se a do t’i interesojë Partisë Demokratike pabarazia në dekadën e ardhshme.
Ne po e marrim një vendim historik mes dy paradigmave ideologjikë të ndryshëm, jo një zgjedhje mes dy shijeve të kokoshkave. Kjo është e rëndësishme. Zgjidh me kujdes. (botuar në Huffington Post) Zeri.info