Megjithëse qëndrimet e saj nuk janë radikale dhe shpesh dallojnë nga gjuha e fortë e PD-së, Jorida Tabaku e përkrah linjën zyrtare për krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve.
Në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, zonja Tabaku beson se ky është një objektiv i arritshëm, por duke plotësuar disa kushte.
“Objektivi është i arritshëm përsa kohë angazhohemi të gjithë në nivel institucional, të grupit parlamentar dhe të ngremë këtë kauzë kudo për të bërë të kuptohet që situata në Shqipëri me të vërtetë është problematike, përsa i përket zgjedhjeve,” tha zonja Tabaku, duke pohuar se çështjen e qeverisë teknike e ka ngritur edhe në takimet që pati me përfaqësues të lartë të CDU-së në Berlin.
“E kërkova paralelisht me të gjitha gjërat e tjera. U bëra thirrje miqve të CDU-së, që Bundestagu, senati Italian dhe parlamentet e vendeve anëtare të vijnë në Shqipëri dhe të shohin vetë situatën,” u shpreh zonja Tabaku, e cila, me nisjen e negociatave të anëtarësimit, ka gjetur edhe një mekanizëm të ri sesi Bashkimi Europian mund të monitorijë Shqipërinë në lidhje me zgjedhjet.
“Me hapjen e negociatave për kapitullin e parë ku janë dhe zgjedhjet, të drejtat e njeriut, lufta ndaj korrupsionit, shteti i së drejtës, kemi edhe metodologjinë e re, ku të gjitha vendet e anëtare kanë hapësirë për të sjellë misione faktmbledhëse. Nuk është më një punë e Komisionit që sjell një raport të përvitshëm, ata vijnë vetë dhe e shohin situatën,” theksoi Jorida Tabaku, e cila, ndërkohë që PD bën betejën për zgjedhjet, kishte një mesazh të rëndësishëm për lidershipin e saj.
“PD nuk duhet të bëjë gabimet e së shkuarës. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale, largimi nga parlamenti dhe lënia bosh e hapësirës politike e ka dëmtuar PD-në. Përfaqësimi politik dhe oferta opozitare duhet të jenë të panegocieshme. Paralelisht, duhet të vazhdojë lufta për kërkesën për qeverinë teknike dhe për të gjitha mjetet që do të përdorë opozita në funksion të zgjedhjeve. Ne duhet të flasim për dialogun që PD duhet të bëjë me njerëzit, për të cilin ne e kemi kapacitetin. Ne duhet të flasim për ofertën elektorale dhe e di që e kemi patur gjithmonë dhe e kemi më të mirë. Duhet të flasim për ekipin dhe faqen që do t’u japë njerëzve si një ofertë politike. Megjithë vështirësitë e tre viteve të fundit, PD është alternativa më e mirë poliitke që shqiptarët duhet ta zgjedhin. Që kjo të ndodhë, ne kemi një punë të madhe përpara me shqiptarët këtu dhe me shqiptarët jashtë. Na takon ne t’i ngremë shqiptarët si shenjë revolte dhe me një votë kundër qeverisë,” tha Jorida Tabaku në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.