Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli për Tv Klan, në prag të ndeshjes së Shqipërisë ndaj Çekisë.
Duka deklaroi se është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për Shqipërinë ashtu edhe për Çekinë. Sipas tij, objektivi është vendi i parë në renditje dhe për këtë arsye, sfida e sotme do të jetë kyçe.
“Është normale që në çdo ndeshje ka një lloj emocioni. Ekipi është i përgatitur për të tilla kompeticione. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Jemi në një moment kyç, për vazhdimin e objektivave. Duam vendin e parë në grup. Kjo i jep rëndësi ndeshjesh.
Impenjimi është maksimal. Objektivi është për të fituar edhe sot. Kemi fituar në të njëjtin stadium para një muaji dhe pse të mos e bëjmë edhe sot. Kemi Dakun dhe shpresojmë të shënojë.
Pas ndeshjes, të gjithë gjejmë gabime dhe të meta. Para ndeshjes të gjithë kemi të njëjtin mendim. Trajneri i Shqipërisë është me fat, sepse ne jemi 10 milionë që bëjmë kritika, por vendet e tjera kanë më shumë.”, deklaroi Duka.