Nga Alda Bardhyli
Autorja kineze, Can Xue, është një nga autoret favorite për Çmimin Nobel në letërsi për vitin 2024, shkruante kritikja e letërsisë Ella Creamer në The Guardian vetëm dy ditë më parë. Shkrimtarja 71-vjeçare kineze kryesonte listën e favoritëve dhe një vit më parë krahas nobelistit Jon Fosse. Pas Mo Yan më 2012, kritika botërore mendon se tashmë ka ardhur koha që letërsia kineze të nderohet me një tjetër vlerësim të madh. Në listën e kandidatëve që orvatet këto ditë në mediat botërore lexohet, Margarete Atwood, Thomas Pynchon, Haruki Murakami, Cesar Aira. Por gjithçka do të mësohet sot në orën 13.00, kur një anëtar i Akademisë Suedeze do të shpallë në mënyrë solemne fituesin.
Në listën e kandidatëve këtë vit, mungonte një prej kandidatëve historikë të kësaj liste, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta vetëm tre muaj më parë. Në pyllin e vogël me pisha në Qerret, silueta e tij e heshtur, zhytur në thellësitë e veprave që shkroi, do të mungojë këtë tetor. Më 2021 kur Abdulrazak Gurnah mori Çmimin Nobel, ai nuk foli gjatë gjithë ditës. “Ky çmim do t’i bënte mirë Shqipërisë”, do të shprehej një ditë më vonë, teksa biseda mbi Nobelin u rikthye natyrshëm. Të njëjtën fjali do të përsëriste dhe në 2022, kur romancierja franceze Annie Ernaux fitoi Nobelin.
Tetorin e një viti më parë një hije e rëndë ra mbi portretin e tij kur Akademia Suedeze artikuloi emrin e Jon Fosse si fitues i Çmimit Nobel për 2023, sikur të kishte parandjerë fundin. Pas viteve ‘70, Ismail Kadare ka qenë një ndër shkrimtarët më të komentuar si fitues i Çmimit Nobel në Letërsi. Autoritete të ndryshme të letrave botërore kanë besuar se ky shkrimtar i përmasave të Kafkës dhe Orwell do të ishte renditur me kohë bri emrave të shquar të Nobelit.
Vetë Kadare ishte i vetëdijshëm mbi këtë përmasë të jashtëzakonshme të letërsisë së tij. Ai besonte se gjuha shqipe, një nga gjuhët e vjetra të këtij gadishulli, me rrënjët e thella në familjen indo-europiane duhet të ishte me kohë, bri gjuhëve që janë vlerësuar me këtë çmim të madh. Pushteti i shqipes për të, ishte një pushtet i një kulture që shqiptarët e posedonin herët dhe që ai e rikrijoi në veprën e tij. Kur ishte vetëm 23 vjeç, ai kuptoi se forca e letërsisë qëndronte pikërisht tek kjo forcë e gjuhës shqipe. Ai ia vë këtë detyrë Gjonit, personazhit të “Qytetit pa reklama”, i cili thotë se “Pastaj – ndërhyri Gjoni, – ta zëmë se ne vërtetojmë se gjuha shqipe është shkruar përpara shekullit XIV, kë dëmtojmë me këtë? Le të ngarkojmë ndërgjegjen tonë me një mëkat përpara së vërtetës abstrakte, kurse përpara atdheut do të jemi të larë? (Qyteti pa reklama). Shqipëria kishte qënë në sytë e kronikanëve të kohës, që nga koha e Shekspirit një vend i zakoneve të egra barbare. Lord Bajroni i quante shqiptarët të ashpër, dhe pse ishin të ndershëm e të bukur. Në imagjinatën europiane, imazhet e një Shqipërie mesjetare, të egër dhe romantike u ravijëzuan herët. Ky perceptim europian mbi Shqipërinë, rritën tek Kadareja admirimin për vlerat e qytetërimit dhe kulturën europiane. Ndryshe nga Milan Kundera apo autorë të tjerë të Europës Qendrore, ai nuk përdori trashëgiminë europiane të Rilindjes dhe Iluminizmit, por gërmoi thellë në histori për të gjetur origjinën europiane të shqiptarëve. Lidhja me grekët ishte shkëputur shumë kohë më parë në të kaluarën, por kultura fillestare e përbashkët “greko-ilire” ishte guri themeltar i Europës. Kadare zgjedh letërsinë për të rilidhur fijet e humbura të shqiptarëve me Europën, duke nisur një rrugëtim i cili shoqërohet nga frika e zhdukjes apo humbjes së identitetit europian të shqiptarëve gjatë viteve të diktaturës.
Tek eseja e tij mbi Eskilin, ai flet me mirënjohje për ruajtjen e një tradite europiane ndërsa tek “Hija” shpresa për rizbulimin e lidhjen me Europën është e dukshme. Vepra e tij tregon se lidhja e Shqipërisë me Europën ka një burim të thellë dhe vonesa e hyrjes në të është thjesht një faj i historisë. Në esenë “Identiteti europian i shqiptarëve”, Kadareja ripërsërit nevojën e Shqipërisë për t’u rifutur në Europë. Duke mbetur jashtë dy herë tashmë, në fundin e shekullit të 14-të dhe në 1944, do të ishte një katastrofë, që ajo të mbetej jashtë për herë të tretë. Faji është i historisë, shkruan ai tek “Pesha e Kryqit”. Ai iku kur shqiptarët janë ndoshta më afër se kurrë Europës. Vepra e tij do të tregojë gjithnjë përpjekjen historike të shqiptarëve për të qenë pjesë e një hapësire ku shpirti i tyre kishte cekur shekuj më parë.
Këto janë vetëm disa rreshta mbi një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli, vetëm disa orë para se Akademia Suedeze të shpallë Çmimin Nobel për këtë vit, një çmim që Kadare një shkrimtar që ruajti vlerat e një Europe të madhe, në një nga sistemet më totalitare, duhet ta kishte marrë kohë më parë. Në vitin 2017 Kazuo Ishiguro, kur fitoi çmimin i kërkoi falje Margarite Atwood, “Uroj që ajo ta fitojë sa më shpejt”. A duhet dikush t’i kërkojë falje Kadaresë?