Autoritetet në Malin e Zi e cilësojnë si tejet të mirë bashkëpunimin fqinjësor me Kosovën. Ata theksojnë se ky bashkëpunim është i shtrirë në të gjitha nivelet, që nga pushteti qendror e deri tek ai komunal.
Ky bashkëpunim, sipas tyre, paraqet një shembull pozitiv në rajon, ndërkohë që qëndrimin e opozitës në Kosovë rreth demarkacionit të kufirit e cilësojnë si çështje të brendshme të Kosovës, shprehet Express.
Kryetari i Komisionit qeveritar të Malit të Zi për çështjen e demarkacionit, Milan Paunoviq, ka theksuar për Zërin e Amerikës se kufiri i caktuar është në përputhje me kufirin administrativ të vitit 1974 dhe se bashkëpunimi me palën kosovare në këtë aspekt ishte i mirë dhe tejet korrekt.
Ai e vlerësoi punën e komisionit ndërkombëtar për këtë çështje duke theksuar se Mali i Zi është i gatshëm të shqyrtojë çdo gabim të mundshëm në demarkacionin e vijës kufitare mes dy vendeve fqinje.Edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera me Kosovën në të gjitha nivelet.