Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ai u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj dhe aktualisht po zhvillon një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë Edi Rama në kryeministri. Gazetarja Fjorela Beleshi raportoi për Ditarin me Denisa Pashollin, se pas takimit nuk do të ketë një konferencë për shtyp mes dy liderëve, por thjesht një deklaratë mediat.
“Në 12:15 do të pritet nga kryeministri Rama dhe rreth orës 13:15 do të mblidhet këshilli i nivelit të lartë dhe pritet të firmosen 3 marrëveshje mes dy vendeve. Rreth orës 14:35 do të deklaratë për shtyp mes dy liderëve, jo konferencë për shtyp”, u shpreh gazetarja e A2.
Vizita e tij përfundon me përurimin e xhamisë së Namazgjasë, e cila është parashikuar në orën 16:50 dhe më pas lideri turk do të largohet në 17: 45 për të shkuar drejt Beogradit ku nesër ka takime me liderët në Serbi.
Mbrëmjen e djeshme kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali njoftoi anulimin e seancës së sotme pa dhënë detaje mbi detajet e këtij vendimi, mbi të cilin pati reagime dhe kundër reagime nga të dy palët. Partia Demokratike e quajti vendimin antikushtetues, ndërsa Spiropali në përgjigje të këtij reagimi shprehu keqardhje për deklaratën e grupit parlamentar demokrat. Gazetarja e A2 tha se parlamenti ndodhet pranë xhamisë së Namazgjasë që është zonë e sigurisë së lartë për shkak të vizitës së delegacionit turk.
“Parlamenti ndodhet pranë xhamisë. Më shumë se kundërshtimi i opozitës zona e Namazgjasë ka qenë e siguruar me bllokues valësh për të garantuar sigurinë ku do të kalojë delegacioni turk. Anulimi i seancës ku pritej të kishte tensione nga opozita po shfrytëzohet nga të dyja palët. Për këtë arsye opozita ka të drejtë në reagimin e saj, por nga ana tjetër ishte në dijeni që ajo zonë ishte e sigurisë së lartë. Të dyja palët kanë patur reagime e kundër reagime”.