TikTok-u është shndërruar në vendin e parapëlqyer të bandave kriminale dikur sekrete të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit. Kërcënimet me vdekje janë veçanërisht të njohura, si dhe fotot e luanëve dhe Vito Corleone-s.
Në korrik, fotoja e një torte u postua në një profil TikTok-u plot me përmbajtje të një kreu famëkeq të një bande të quajtur Fatlum Ajeti. Ajo shoqërohej me fjalën “Halkidiki”, duke iu referuar rajonit të njohur turistik të Greqisë veriore, dhe me mbishkrimin: “Hakmarrja është më e ëmbël se torta”.
Postimi, i cili është parë më shumë se 100,000 herë, përkoi me përvjetorin e parë të vrasjes së Orhan Bajramit dhe një burri tjetër në qytetin Hanioti të Halkidikisë, ku Bajrami besohej se kishte qenë me pushime.
Ajeti, kreu i bandës kriminale Belanoca në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, ndodhet në burg që nga prilli i vitit 2023, duke vuajtur një dënim me 11 vjet burg për trafik droge.
Por burgosja e tij nuk e ka ndalur vetëpromovimin e tij apo luftën e fjalëve me rivalët e tij në TikTok.
“Do t’ju dërgoj te shokët tuaj”, tha ai në një video të postuar në profilin e tij në TikTok në prill duke iu referuar miqve të vrarë të një rivali. “Vetëm ti, ndryshe nga ata, nuk do të kesh grua”.
Në profil shfaqen postime në të cilat Ajeti shihet në oborrin e burgut, me sandale Hugo Boss dhe duke pirë nargjile.
“Edhe në burg nuk je plotësisht i sigurt”, u përgjigj në TikTok një anëtar i një klani rival nga fshati Grcec në një video të regjistruar teksa ai ngiste makinën e tij.
Bandat e krimit të organizuar kënaqeshin duke vepruar në fshehtësi, por për disa anëtarë të “botës së krimit” të Shkupit, TikTok-u është shumë joshës.
Nëpërmjet profileve në rrjetet sociale, ata bëjnë kërcënime dhe mburren me sukseset e tyre, duke arritur në mënyrë të pashmangshme audiencën e re që është dominuese në TikTok. Kriminelët e dhunshëm në thelb janë shndërruar në influencer.
Një krim i parathënë në TikTok
Në vitin 2023, një varg vrasjesh të stilit mafioz në të cilat vdiqën katër persona vendosi në qendër të vëmendjes botën e krimit pak të njohur të Shkupit. Ishte pikërisht atëherë që aktiviteti i bandave të krimit në mediat sociale iu nënshtrua një analize më të thellë.
Në korrik 2023, vetëm pak ditë para vrasjes së Bajramit, një fotografi e Bajramit, Jeton Krivanjevës dhe Enes Isenit u postua në një llogari të mbyllur që atëherë në TikTok. Mbi fotografinë e Bajramit shkruheshin fjalët “Së shpejti”.
Dy ditë më vonë, Bajrami u qëllua për vdekje në Greqi; Krivanjeva dhe Iseni ishin vrarë disa muaj më parë, duke u prerë kështu kokat klanit të Dukjandzikut që ata besohej se drejtonin.
Shevalj Muaremi, i cili pretendohet nga policia se është lideri i klanit Grcec, është ndoshta personi më i famshëm i TikTok-ut i botës së krimit të qytetit. Një profil që përmban foto të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij ka mbi 20,000 ndjekës. Një postim me foto të shumta të Muaremit është parë 1.3 milionë herë. Nuk është e qartë se kush e menaxhon llogarinë.
Një personazh i famshëm i rrjeteve sociale, pavarësisht se kërkohet nga policia për vrasje të shkallës së parë dhe trafik droge, Muaremi besohet të jetë në Dubai.
Ekziston gjithashtu një llogari në TikTok që publikon përmbajtje në lidhje me Rade Trajkovski-Shtekli, i cili i shpëtoi vdekjes kur agresorë të panjohur qëlluan ndaj tij vitin e kaluar brenda qendrës më të madhe tregtare të Shkupit.
“Kushdo që nuk do të paguajë një raketë, le të blejë një fikëse zjarri”, thuhet në një postim me një foto të Trajkovski-Shteklit. Llogaria ka 6,800 ndjekës, por është e paqartë se kush qëndron pas saj.
TikTok-u nuk është vetëm një forum ku figurat e krimit mund të flasin keq dhe të kërcënojnë rivalët e tyre. Mediat sociale janë bërë gjithashtu një platformë për të promovuar përfitimet e tyre të paligjshme, nga makinat e shpejta deri tek orët prej ari dhe pushimet luksoze.
Pamjet e restoranteve dhe klubeve të natës janë veçanërisht të njohura. Një video tregon anëtarët e një bande kriminale duke larë duart, me sa duket, me shampanjë.
Duke e krahasuar veten me bosin kolumbian të drogës Pablo Escobar, i cili investoi në rrugë, shkolla dhe banesa në lagjet e varfra për të marrë mbështetjen lokale, bandat e krimit të Shkupit gjithashtu duan ta paraqesin veten si personazhe të ngjashëm me Robin Hudin.
Në dhjetor të vitit të kaluar, qarkulloi një video që tregonte Krivanjevën, tashmë të vdekur, duke u dorëzuar me sa duket çelësat e një apartamenti dy jetimëve. Videoja ka më shumë se 300,000 shikime në TikTok.
Të tjerë identifikohen me personazhe filmash, veçanërisht personazhin e Marlon Brando-s, Vito Corleone-s te “Kumbari”.
Një nga vargjet më të cituara nga televizioni është marrë nga seriali britanik “Top Boy”, kur një grup droge londineze kërkojnë ndihmë kundër rivalëve të tyre shqiptarë duke u përpjekur të gjejnë pikën e tyre të dobët: “Ata nuk kanë një të tillë”. Ajeti, Muaremi, Bajrami, Krivanjeva dhe Iseni janë të gjithë shqiptarë etnikë.
Pothuajse çdo profil i monitoruar për këtë artikull ka cituar vargje kënga “Po shkoj në Kanada”, të artistit muzikor serb Slobodan Veljkovic: “Zhvatje, vrasje, të gjithë duhet të paguajnë. Ne kemi lidhje me politikën; ne kemi një politikan në lojë”.
Edhe fotot dhe emoticon-ët me luanë janë gjithashtu të njohura.
“Luani nuk shqetësohet për mendimin e deleve”, thuhet në një postim krahas një fotoje të Muaremit në llogarinë që e promovon atë.
Sipas një sondazhi të BIRN me prindër në të gjithë Ballkanin në vitin 2022, 69 për qind e të anketuarve thanë se fëmijët e tyre kishin hapur llogari në TikTok përpara se të mbushnin 13 vjeç, mosha minimale ligjore për t’u regjistruar./BIRN