Nga Artur Ajazi
Çfardo mekanizmi apo lëvizje të bëjë zoti Berisha, çfardo lëvizje të nisë edhe Gaz Bardhi pas humbjes që e pret në 2025, Partia Demokratike mbetet përfundimisht një cikël i mbyllur. Koha dhe praktikat e gabuara, kanë shpejtuar mbylljen e patjetërsueshme të asaj force politike.
Mbijetesa e zotit Berisha si politikan apo kryetar i asaj partie, varet thjesht nga kohëzgjatja e agonisë që ka nisur ta rrënojë atë forcë politike. Mungesa e daljes në skenën politike e partive të reja djathtiste, të cilat duhej të bënin opozitën e re pas 2013 ndaj Partisë Socialiste, dobësimi që Berisha i ka bërë të djathtëve duke forcuar PD-në në funksion të interesave personale, po evidentojnë akoma dhe sot atë parti “si e vetmja opozitë reale në Shqipëri”.
Agron Duka, Fatmir Mediu, Dash Shehu, Vangjel Dule, apo dhe ndonjë partiçkë e vogël, herë afrohen dhe i largohen zotit Berisha, por sërish mbajnë shpresa absurde se “ai një ditë mund të vijë në pushtet”. Kjo natyrisht vjen nga padia dhe mungesa e efektivitetit politik, që kanë ato parti në elektorat. Ato parti pothuejse janë inekzistente, ndaj gjithmonë sa afrohen zgjedhjet nisin dhe kërkojnë nga PD-ja, “kryesim në lista, mbështetje elektorale”, etj.
Edhe pse e dinë se “PD, tanimë është cikël i mbyllur” dhe nuk ka shpresë të ringrihet, edhe për 15 vite të tjera në nivel pushteti, ato sërish mbajnë shpresë. Natyrisht aleatëve interesaxhinj të PD-së, u mungon anëtarësia, mbështetësit, votuesit, imazhi, dhe programi, ndaj varin shpresat çdo 4 vjet tek zoti Berisha. Të shpresosh tek “i mbyturi”, është njëlloj sikur të jetosh me “gurin mbi shpinë”. Protesta e fundit, flaka dhe molotovi, treguan për të 100-herë se, “PD e ka mbyllur ciklin dhe vërtitet gugash brënda ballkonit të zotit Berisha dhe kaq”.
Një parti që ka humbur pothuajse 70 perqind të elektoratit nga keqdrejtimi dhe abuzimi me votën, besimin dhe djersën e tyre, një parti ku mendohet dhe veprohet non-stop vetëm për “lirimin nga arresti të kryetarit” dhe jo për të ardhmen e saj, një parti që merret me akte dhune edhe pse po afron fushata më vendimtare e saj elektorale, natyrisht nuk mund të ringrihet në nivele europiane mendimi, zhvillimi dhe funksionimi. “Në politikë –ka thënë Fred Bezik- mendohet gjithmonë për fitoren e partisë, jo të kryetarit”.
Mendoni dhe gjykoni paksa, tek shihni betejat “pa kokë” të Partisë Demokratike, teksa mblidhen ose poshtë ballkonit ose në bulevarde duke djegur pemët dhe banderolat, se çfarë synojnë ata. u intereson vetëm “fitorja e kryetarit Berisha, vetëm lirimi i tij nga arresti” dhe asgjë tjetër. Fjalimet me “fitore në zgjedhje dhe arrdhje në pushtet”, janë “tymuese” që duan të fshehin merakun për problemin kryesor që kanë, dhe jo arritjen e ndonjë standardi zgjedhor. PD e ka mbyllur ciklin si parti politike.