Donald Trump i ka dërguar fshehurazi makineri për testimin e Covid-19 presidentit Vladimir Putin, për përdorim personal, në fillesat e pandemisë kur kishte mungesa të këtyre pajisjeve. Zbulimin e bën gazetari qe hodhi dritë mbi skandalin e Watergate, Bob Woodward, në librin e fundit, “Lufta”, që pritet të publikohet javën e ardhshme.
Siç thuhet, Putin ishte shumë i frikësuar se mos sëmurej, dhe i kishte kërkuar Trumpit të mos i tregonte askujt për testet e dërguara. “Mos e bëj, pasi njerëzit do të mërziten me ty, jo me mua”, citohet t’i ketë thënë Putin. Trump ishte përgjigjur se nuk shqetësohej aspak nga kjo. Dërgimi i testeve është konfirmuar edhe nga Kremlini, ndërsa fushata e republikanit i ka hedhur poshtë si të pavërteta perëndimet.
Në libër thuhet se Trump kishte mbajtur kontakte me presidentin rus edhe pas largimit nga detyra. “New York Times” raporton se libri përshkruan një skenë ku një bashkëpunëtor i Trump-it u urdhërua të dilte jashtë zyrës se ish-presidentit në Mar a Lago të Floridës, në mënyrë që ai të zhvillonte një telefonatë me Putinin. Bashkëpunëtori i paidentifikuar raporton se dyshja kishte biseduar mbi 6 herë që kur Trump është larguar nga shtëpia e bardhë.
Fushata e republikanit ka sulmuar gazetarin, duke e quajtur atë një njeri të çmendur, i cili është i zemëruar me Trump pasi e ka paditur për publikimet e mëhershme. Pretendimet rikthejnë pikëpyetjet mbi marrëdhënien mes Trump dhe Putin, pak javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Libri përmend gjithashtu presidentin Biden, që siç thuhet kishte kritikuar ish-shefin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, për faktin se kishte lejuar Putinin të pushtonte Krimenë në vitin 2014. Ai po ashtu citohet të ketë sharë në disa raste, kryeministrin izraelit Netanyahu, gjatë bisedave me bashkëpunëtorë të afërt.
/a.r