Belind Këlliçi, i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, zbuloi disa nga skenarët e mundshëm me të cilët opozita do të dalë sërish në protestë për të vijuar mosbindjen civile.
Ai tregoi se po diskutohet mundësia e mbajtjes së një proteste në Parlamentin Europian nga deputetët e PD-së.
“Besoj brenda javës tjetër do të kemi protestën e radhës. Po diskutohen disa formate. Është hedhur ideja nga një grup deputetësh për të shkuar të protestojmë para Parlamentit Europian, ku të shkojnë jo vetëm 24 deputetët e përjashtuar, por të gjithë grupi parlamentar i deputetëve dhe shqiptarët që jetojnë në Bruksel për të ndërgjegjësuar PE-së për situatën që ndodhet Shqipëria. Kjo është një ide, por jo një vendim i marrë. Gjithsesi, unë mendoj se do të bënin gjënë e duhur nëse do ta merrnin këtë nismë.
Po ashtu, diskutohet për një aksion tjetër konkret në parlament, por duke qenë se kemi 24 deputetë të përjashtuar, balancat nuk janë ato që duhet të ishin. Po diskutohet zhvendosja e protestës në një nga qarqet e rëndësishme të vendit, aty ku po ndodh një nga aferat më korruptive pas aferës së famshme të inceneratorëve. Brenda javës tjetër do të vazhdojë aksioni”, tha Këlliçi në Debat.
/a.r