Liberalizimi i regjistrimit të domaineve në zonën “.al” ka sjellë një degë të re biznesi për shoqëritë e sektorit të tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Tashmë që regjistrimi mund të bëhet edhe nga shoqëritë private, pesë prej tyre janë licencuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ofrimin e këtij shërbimi. Sipas të dhënave zyrtare nga AKEP, deri tani janë pesë sipërmarrës të regjistruar për ofrimin e këtij shërbimi dhe ku publiku mund të regjistrojë domaine me identitet shqiptar, me mbaresën “.al”. Në fund të vitit 2015, numri i domaineve në zonën “.al” arriti në afro 16 mijë, me një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2014 raporton Dita.
Regjistrimi fillestar i një domaini bëhet për një periudhë pesëvjeçare, për të cilën çdo regjistrues parapaguan në AKEP një tarifë prej pesë mijë lekësh. Shërbimi i regjistrimit të domaineve mund të ofrohet nga çdo kompani e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke u akredituar më parë në AKEP.
Regjistruesit paguajnë tarifë fikse prej 100 mijë lekësh në vit, si edhe një tarifë akreditimi prej 20 mijë lekësh, që paguhet vetëm një herë.