U padit për abuzim seksual/ Avokati: Miqtë e famshëm të P. Diddy dëmshpërblejnë privatisht viktimat për të shmangur ekspozimin në publik
Një avokat ka deklaruar se disa nga emrat e famshëm që ftoheshin në festat e abuzimeve seksuale të reperit famëkeq amerikan P. Diddy po paguajnë në fshehtësi viktimat e tyre për të shmangur emërimin në publik. Tony Buzbee i cili përfaqëson më shumë se 120 viktima që akuzojnë Sean “Diddy” Combs’ tha se emra nga më të famshmit po paditen për abuzimet seksuale dhe se kompania e tij po u jep një shans për të zgjidhur çështjet para se të shkojnë në gjykatë.
“Disa nga emrat e famshëm kanë zgjedhur të mbyllin privatisht çështjet. Ashtu si në raste të tjera .. pasi kjo mund të jetë në interes të viktimës, ne tentojmë të zgjidhim çështjen pa ngritur një padi publike, dhe e kemi bërë këtë me disa individë siç mund të keni dëgjuar”, tha Buzbee.
Reperi dhe producenti i kompanisë muzikore ‘Bad Boy Records’ është arrestuar muajin që shkoi me akuza trafikimi seksual, për të cilat është deklaruar i pafajshëm. 25 nga vajzat paditëse ishin minorene kur ishin joshur dhe abuzuar në festat e reperit, teksa Buzbee ka nisur tashmë njoftimin e të paditurve të tjerë të po të njëjtës çështje. Ai tha se do të ndjekë në mënyrë agresive të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të abuzimeve dhe nuk kane vepruar për të mbrojtur viktimat e Diddy dhe miqve të tij të famshëm.
“Nëse ke qenë në dhomë, ke marrë pjesë ose ke parë abuzimin dhe nuk ke thënë gjë por ke ndihmuar ta fshehësh, ti ke një problem. Shumë njerëz e kanë parë këtë aktivitet dhe e kanë lejuar të ndodhte, nuk kanë ndërhyrë … të gjithë këta individë janë të ekspozuar”, tha avokati.
54 vjeçari Diddy Combs, është burgosur muajin që shkoi pas akuzave se ka detyruar vajzat të marrin pjesë në sesione seksi ekstrem në formë shfaqjeje, me meshkuj të paguar, që nganjëherë zgjasnin me ditë të tëra. Mediat kanë bërë paralelizma mes tij dhe financierit pedofil Jeffrey Epstein që gjithashtu ftonte njerëz të famshëm e të fuqishëm në ishullin e tij për sesione abuzimesh seksuale, duke i regjistruar e më pas duke i mbajtur nën kontroll me anë të shantazhit. Pas arrestimit të Diddy, dhjetra viktima kanë denoncuar me pretendime abuzimi seksual, por përfaqësuesit e reperit refuzojnë akuzat.