Me debate ka nisur dhe ka vazhduar mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor Parlamentar për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi.
Kryetarja e këtij Komisioni Albana Vokshi është përplasur me nënkryetarin, Plarent Ndreca, duke i thënë këtij të fundit se tentoi që ta niste mbledhjen pa mbërritur anëtarët e PD.
Pas disa minutash debate, ku Ndreca merrte fjalën dhe deputetët e PD nuk e lejonin të fliste duke i rënë tavolinave me kartonët e duke krijuar zhurmë, ai ka njoftuar se mbledhja mbyllet dhe se do të mbahet në një moment tjetër.
Pas këtij njoftimi anëtarët e PS janë larguar, ndërsa në sallë kanë mbetur ata të PD.
Pjesë nga debati:
Ndreca: S’kam lëshuar asnjë urdhër për Gardën, dhe nuk kam as kompetencë
Vokshi: E urdhëruan të të heqin dhe mikrofonin (i drejtohet deputetes Zhupa)
Ndreca: Çfarë ke ardhur të bësh? (i drejtohet deputetes Ina Zhupa)
Vokshi: Ore kush je ti, si i flet kështu deputetes
Ndreca: Nuk ju marr leje ju
Vokshi: Unë kam marrë masë, ti nuk flet dot, s’të jap fjalën
Ndreca: Fjalën e kam marrë unë
Vokshi: Ti nuk flet dot, se nuk vjen dot këtu t’i thuash deputetes gënjen
Ndreca: Ja çfarë bën deputetja… (tregon deputetët e opozitës që bëjnë zhurmë në tavolina)
Vokshi: Mëso të flasësh mirë
Ndreca: S’ke ardhur ti të më bësh moral
Vokshi: Jam kryetare
Ndreca: Je uzurpatore… Mbledhjen do e bëjmë në një moment të dytë
Vokshi: Kush je ti që e mbyll?
Zhupa: O frikacak