Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024. Vetëm në 10 muajt e parë të vitit 25 mijë vizitorë vendas e të huaj kanë treguar interes për këtë muze, që funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, i ndërtuar në fillim të viteve ’70”.
“Sidomos për pjesën e shtatorit ka patur një vizitueshmëri më të lartë nga vjet, gati mund të themi dhe dyfish, vizitorët janë kryesisht nga vende të ndryshme më së shumti janë spanjollë, italianë por kemi patur edhe frekuentushmërinë e belgëve që kanë ardhur në rritje këtë vit, gjermanëve, anglezëve ka shumëllojshmëri po themi të vizitorëve”,-tha Olsi Sinani.
Po çfarë i tërheq më së shumti turistët?
“I tërheq, duan të dinë më shumë për historinë se çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe këtu dhe tuneli i pëlqen më së shumti për shkak se objektet që ka brenda po themi që janë origjinale, kanë ngelur njësoj siç ishte para 20-30 vitesh”,-tha Olsi Sinani.
“Ne vijmë nga Spanja, e pamë me shumë interes të vizitonim këtë tunel prej betoni relike e Luftës së Ftohtë, është i veçantë si muze, më pëlqeu shumë sepse është një copës historie e asaj periudhe”,-tha turistja.
Tuneli ku ndodhet muzeu është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë hapësirash, të cilat do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.