Sipas mediumeve të Beogradit Serbia për çdo ditë humb 60 mijë euro për shkak se Kosova nuk po lejon hyrjen e kamionëve të firmave serbe. Por konfliktin me kamionë e kishte nxitur Qeveria e Serbisë, e cila ka refuzuar të njohë certifikatat e shoferëve dhe të automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme (certifikatat ADR).
Gazeta e Vjenës “Die Presse” shkruan se autoritetet dhe ndërmarrjet serbe po bëjnë presion që të hiqet bllokada, transmeton Dialogpuls.
“Tani pritet që zgjidhjen ta sjellin bisedat sekrete në Vjenë. Siç ka mësuar ‘Die Presse’ që në fillim të javës në kryeqytetin e Austrisë, me ndërmjetësim të BE-së, janë takuar përfaqësues të Serbisë dhe të Kosovës. Negociatat janë zhvilluar në zyrat e Agjencisë Europiane të të Drejtave Themelore. Javën e ardhshme është planifikuar edhe një takim tjetër”, thuhej në shkrimin e gazetës vjeneze, cituar nga Koha Ditore.
Pala kosovare ka deklaruar se bllokimi i kamionëve serbë është masë reciproke për shkak Beogradi nuk i ka pranuar certifikatat ADR, të cilat lëshohen për kamionët kosovarë.
Me këto certifikata në Europë deklarohen automjetet që bartin materie të rrezikshme. Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, i ka thënë “Die Presse” se të gjitha vendet e tjera nuk i pranojnë certifikatat ADR të Kosovës, sepse Kosova nuk është anëtare e ADR-së. Në takimet e Vjenës Gjuriç ka përfaqësuar palën serbe. Gazeta nuk shkruan se kush e ka përfaqësuar Kosovën.
Në gusht të vitit të kaluar autoritetet serbe kishin ndaluar afër Novi Sadit dy kamionë nga Kosova të cilët bartnin materie të rrezikshme. Gjuriç është arsyetuar se kamionët kanë qenë në gjendje të parregullt.