Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se situata në Vlorë është nën kontroll, pas përmbytjeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve të dendura që përfshinë të gjithë vendin.
Denaj u shpreh se të gjitha strukturat kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për t’iu përgjigjur çdo thirrjeje të banorëve.
“Një punë e palodhur e të gjitha strukturave që gjatë gjithë natës kanë qenë në terren dhe vijojnë të jenë edhe sot, kanë bërë që situata në Vlorë të jetë nën kontroll”, deklaroi ajo.
Ministrja informoi se po ashtu do të kryhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga moti.
Ajo u bën thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të kontaktojnë autoritetet nëse kanë nevojë për ndihmë.
/a.r