Nga Korça kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi ka komentuar ngjarjen e fundit në Kuvendin e Shqipërisë dhe sjelljen e deputetëve të Opozitës, ndaj të cilëve kërkoi që të respektohen kufijtë e vijave të kuqe, duke debatuar ashpër tha Peleshi, por duke respektuar këto kufij.
“Maxhoranca përgjigjet për sjelljen e vet politike, ligjore, për raportet e veta me institucionet kushtetuese siç është parlamenti. Ne jemi më detyrë, jemi në Kuvend, respektojmë detyrimet ndaj qytetarëve, nëse e keni fjalë për ngjarjet e fundit dhe sjelljet e pahijshme politike në Kuvend besoj duhet të pyesni opozitën”, tha Peleshi në një prononcim për mediat, raporton A2 CNN. “Mua nuk më vjen mirë natyrisht dhe nuk dua të bëj këtë ndarjen, ne dhe ata sepse në fund të fundit jemi kolegë, nuk më vjen mirë për 20-24 apo edhe për 1 deputet të jetë i përjashtuar nga seanca, por jo çdo gjë është në dorën tonë”.
Sa i përket vendimit për përjashtimin e deputetëve, Peleshi tha se me këtë merret sekretariati për etikën që merr në shqyrtim provat dhe vendimin. “Nuk mund të pyetem unë për këtë, personalisht por edhe grupit parlamentar nuk na intereson që të ketë një seancë jo normale me përjashtime, ne duam seancë normale me debat, me debat të fortë normalisht por brenda vijave të kuqe. I vetmi problem që unë shoh në politikën tonë, është mos respektimi i vijave të kuqe. Të debatojmë por jo të dalim përtej, ajo që ndodhi ishte e paprecedentë, ne nuk mund ta kemi në rritje dhunën në parlament dhe ta kalojmë nga një krizë ndër partiake tek tjetra”, tha Peleshi.
Peleshi gjithashtu u komentoi shkurtimisht edhe protestën e thirrur nga opozita, por tha se e sheh të paarsyeshme një protestë ndaj një vendimi nga një institucion që nuk varet nga qeveria, në një kohë kur të gjithë bashkë kemi votuar reformën në drejtësi. Peleshi kërkesën për qeveri teknike e cilësoi thjeshtë një oreks politik.
“Unë nuk mund të komentoj çfarë thotë opozita, protesta është një element demokratik, nuk është herezi, protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, fakti që opozita do jetë në protestë është e drejta e tyre, kërkesat politike ata mund ti formulojnë sipas orekseve politike të veta, por unë nuk shikoj se ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria. Për çfarë arsye? Për shkak të një vendimi të formës së prerë nga një institucion i pavarur nga qeveria? A po flasim pasi krijuar së bashku një reformë në drejtësi, e kemi votuar me duartrokitje me 140 vota, tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye do dalin në protestë një parti apo partia tjetër? Nuk shikoj ndonjë substancë”, tha Peleshi.
/a.r