Nga Skënder Minxhozi/
Votimi i sotëm për mandatin e kryetarit të Partisë Socialiste ka marrë tashmë, siç pritej, kritikat dhe ngritjet e supeve të kundërshtarëve të Ramës brenda partisë. Blushi dhe Hafizi, dy figurat që më së shumti janë artikuluar këto orë për ato që i konsiderojnë si parregullsitë e një gare të paracaktuar, po i japin zë debatit politik edhe gjatë orëve kur 81 mijë anëtarët e PS janë ftuar të thonë me votën e tyre, sesi e mendojnë sherrin e fundit në krye të partisë.
Referendumi i sotëm nuk ka ndonjë vlerë sa i përket problemit të suksesionit në kokën e PS. Rama do të vijojë të jetë kryetar edhe pasi kutitë të jenë mbyllur. Por votimi i kësaj dite plot shi duket se ka peshë për dy arsye bazë: së pari, pasi ktheu me forcë në skenën politike shqiptare problemin e standarteve demokratike brenda partive politike dhe së dyti, pasi mund të jetë një test i vlefshëm kombëtar për vetë Edi Ramën dhe punën e qeverisjes së tij tre vjeçare. Natyrisht, një test partiak dhe jo jo një test klasik, nga ata ku votojnë të gjithë shqiptarët.
Ben Blushi arriti ta çojë PS në një proces votimi, qoftë ky edhe jo ai që Blushi vetë dëshëronte. Ky është një sukses jo i vogël politik i një njeriu thuajse të vetëm. Nga ana tjetër, PS u detyrua të hedhë sytë me këtë rast nga libri i brendshëm i rregullave, statuti, për të marrë në shqyrtim (pa shumë dëshirë) se çfarë thotë kushtetuta e partisë. Ky është një zhvillim pozitiv për një parti të madhe politike, pasi dimë se përgjithësisht kur PD e PS ngjiten në pushtet, rregullat e brendshme harrohen dhe partia transferohet në zyrat e shtetit. Me shumë gjasë referendumi i sotëm nuk do ta “qepë” të çarën mes Ramës dhe Blushit e të tjerëve, e kjo le pezull një enigmë për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në PS.
Sa i përket testit të qeverisjes, ky duket një problem anësor i garës, por mund të jetë në fakt “yçkla” më komplekse e referendumit. Në orët e fundit para votimit, u mësua se deputetët dhe ministrat u shpërndanë në të gjithë territorin, si për të provuar indirekt peshën dhe preokupimin që vota e socialistëve ngjall në katet e larta të Partisë Socialiste. Pas pothuaj tre vjetësh në drejtimin e vendit, jo pa peripeci e probleme, partia ka rastin të ballafaqohet me mendimin e anëtarëve të saj dhe votimi mund të nxjerrë natyrshëm një pjesë të skepticizmit fiziologjik që qeverisja e majtë ka krijuar në tre vjet. Gjithsesi, për mënyrën sesi janë zhvilluar deri më sot ngjarjet në Partinë Socialiste, Edi Rama sot nuk ka një rival të fortë politik për kreun e partisë, e kjo nuk i le shumë mundësi zgjedhjeje votuesit të thjeshtë, që sot është paraqitur për të votuar referendumin e habitshëm për konfirmimin e postit të kryetarit, njëherësh kryeministër.
Mediat dhe gazetaret shqiptare jane medioker! E bejne nga halli apo nga zorri nje Zot e di! Te gjithe jane te tredhur! Jetojne me parate e korupsionit apo nga parate e pista?Mundet! Por niveli i analizave apo komenteve qe jepen eshte nje kambane vdekjeje per Shqiperine! Jane Klane te fuqishme politke-mafioze qe krijojne nje ambient korruptiv! Fitoi Blushi thote nje gazetar dhe i vetem! Jo ! Nuk fitoi Blushi por humbi Rama! Kjo eshte Shqipeeria! Por prape PS eshte Partia me demokratike ne Shqiperi! Shikoni Partite e tjera dhe do te bindeni se jane kthyer ne “monarke”partiake! Sabriu ja kaloi Mediut,Berisha Lulit! E c’bari Rama? E veshi me vel demokratik!