Hungaria, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së, mund të ndërmjetësojë një takim dypalësh në Budapest mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë “për të parë nëse pozicionet mund të përafrohen” në mënyrë që Shkupi Zyrtar të fillojë negociatat për anëtarësim. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, ku shtoi se ky është plani i kryeministrit hungarez Viktor Orban, të cilin e konsideron mik dhe mbështetës të interesave të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Mickoski shprehet se Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë nuk thotë se duhet ndryshuar Kushtetuta, ndërsa shtoi se do të vijë një ditë kur problemet me Bullgarinë do të zgjidhen dhe deri atëherë Maqedonia e Veriut do të punojë për të rritur miqtë e saj në BE.
“Arbitër le të jetë Bashkimi Evropian, Presidenti i BE-së na ftoi në Budapest që të gjitha çështjet t’i zgjidhim paraprakisht, jo në faza, që të mos ketë më pengesa dhe procesi (integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut). Nëse dikush pret që kjo qeveri apo unë të pranojë diçka që unë në parim kam qenë kundër dhe kam pasur argumente, jo për inat, e ka gabim ose nuk më njeh”, tha Mickoski.
Mickoski tha se ai ishte ende duke pritur që dikush t’i tregonte një arsye pse bullgarët në Maqedoninë e Veriut duhet të përfshihen në Kushtetutë.
“Pakica bullgare këtu ka të gjitha të drejtat e mundshme. Nëse ndonjë politikan pretendon se ato janë shkelur, duhet të ketë prova. Dhe ne mund t’i lexojmë provat në vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg,” vuri në dukje ai, duke theksuar se atje janë 14 aktgjykime për të drejtat e shkelura të komunitetit të Maqedonisë së Veriut në Bullgari dhe asnjë për komunitetin bullgar në Maqedoninë e Veriut.
/a.r