Kolegji i Posaçëm i Apelimit, (KPA) la të enjten në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit, Erjon Shqarri.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo kryesues, Mimoza Tasi relatore, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin, i cili është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Në 8 maj, vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkuan Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Erjon Shqarri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.
Erjon Shqarri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Tropojës në vitin 2015 dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Vlorës.
Ai u konfirmua në detyrë më 9 prill pas një seancë të shkurtër dëgjimore.
/a.r