Ekonomia u rrit me 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit. Ky është niveli më i lartë i dy viteve të fundit, dhe ndjeshëm më pozitiv se një vit më parë. Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha sektori i ndërtimi bashkë me turizmin. Në zgjerimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto në harkun e muajve prill-qershor ndihmuan edhe taksat, rritja e pagave, fitimet e bizneseve.
Rritje anemike me vetëm 0.17 për qind pësoi edhe bujqësia, ndërsa shitblerja e pronave që ka ngecur në pritje të rivlerësimi humbi peshën e dikurshme duke u zgjeruar me vetëm 0.13 për qind, raporton A2.
“Negativisht kontribuoi grupi: “Industri, Energji dhe Uji” me -0,96 pikë përqindje. Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,11 pikë përqindje”, tha drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli.
E reja në rritjen ekonomike në 3-mujorin e dytë të vitit është fakti se turizmi zëvendëson shitblerjen e pronave në hierarkinë e peshës së rritjes ekonomike me plotë 1.12 për qind.
“Turizmi është pjesë e grupit “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” dhe rritja e tij është matur me këtë grup”, deklaroi shefja e INSTAT.
Sipas metodologjisë tjetër të Institutit të Statistikave, asaj të shpenzimeve, në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të vitit kontributin kryesor e dha administrata publike me rritjen e pagave
Në nivele të ngjashme paraqitet edhe konsumi i popullatës, ndikuar nga të huajt e ardhur si turistë. Me më pak se 5 për qind kontribuuan eksportet e mallrave dhe me 5.64 për qind importet, shkruan A2
“Prodhimi i Brendshëm Bruto me një mesatare mund të jetë 3.9 për qind. Kjo një shifër e përafërt. Gjithsesi INSTAT do të publikoj në vijim rritjen ekonomike 6-mujore”, sqaroi Dhuli.
Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë presin që ekonomia e vendit të rritet mesatarisht me 3.8 për qind këtë vit, përcjell A2.
Disi më pesimiste janë institucionet Ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe ajo Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që presin zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mesatarisht 3.5 për qind.
/a.r