Të mbyllura në dosjet e firmës ligjore panameze “Mossack Fonseca” janë edhe përgjigjet e mistereve që rrethojnë disa piktura të Van Goghut, Picassos e vepra të tjera.
“Panama Papers” ofrojnë një qasje të paprecedentë te lidhja mes tregtisë ndërkombëtare të artit dhe fshehtësisë së “offshore”ve. Biznesmenët miliarderë duket se kanë përdorur pikërisht këtë mënyrë për të mbuluar edhe vepra, që supozohet të jenë grabitur nga nazistët.
Nipi i një tregtari hebre të veprave të artit mësoi rastësisht se, një pikturë tepër e vyer që ai besonte se gjyshit të tij ia kishin vjedhur nazistët, gjendej në duart e njërës prej familjeve më me influencë në botën e artit.
Bëhej fjalë për një krijim të Amedeo Modiglianit, “burri i ulur me shkop”, portret që sot vlen mbi 25 milionë dollarë, transmeton Tch.
Hetuesit gjurmuan historikun e pikturës dhe kalimin e saj nga një dorë në tjetrën, duke mbërritur deri te një klan pasanikësh që e kishte blerë në një ankand të vitit 1996. Avokatët e nipit i dërguan një letër galerisë “Nahmad” në Nju Jork, ku kërkonin kthimin e veprës te pronari i ligjshëm, por nuk morën asnjë përgjigje dhe palët përfunduan në gjyq.
Familja Nahmad këmbënguli në gjykatë se, nuk është ajo pronare e pikturës së Modiglianit, por një kompani “offshore” e quajtur “Art Center”, e regjistruar nga “një studio ligjore panameze”.
Dosjet sekrete të bëra publike nga “Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigative” dhe “Süddeutsche Zeitung” lënë të kuptohet se, e gjithë kjo ishte një manovër për të fshehur pronarët e vërtetë.
“Mossack Fonseca” nuk ndihmoi vetëm Nahmadët të krijonin “Art Center” në 1995-n, por duket se u ka ofruar edhe shumë klientëve të tjerë ndihmën e saj për të kryer në fshehtësi të plotë transaksione arti në mbarë botën, me vepra të artistëve të tillë të mëdhenj si Van Gogh, Rembrandt, Chagall, Matisse apo Andy Warhol.