Kreu i PD-së Sali Berisha ka reaguar për dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg nga Apeli, për veprën penale kallëzim të rremë.
Nga dritarja e banesës së tij, Berisha u shpreh se vendimi i sotëm është një shpallje lufte ndaj opozitës.
Ai tha gjithashtu se është rasti i parë në historinë e botës, që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë.
“Dënimi i sotëm, goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare”, tha ndër të tjera Berisha.
“Deputeti Ervin Salianji, të cilin sot Edi Rama, Geron Xhafa, Fatzi Xhafa, e dënuan me një vit burg, sepse guxoi të përballej dhëmbë për dhëmbë, pa u tutur, me guxim qytetar, me krimin, me klanin më të fuqishëm të drogës së Vlorës, Geron dhe Fatmir Xhafën.
Sot, Geron Xhafa, ky trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali, në gjykim në Venezuelë, feston fitoren e tij mbi denoncuesin publik, deputetin e opozitës, Ervion Salianji.
Ervin Salianji sot u dënua në një akt shpallje luftë opozitës shqiptare, nga Edi Rama, me akuzën kallëzim i rremë.
Është rasti i parë në historinë e botës, që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë.
Ervin Saliani u arrestua sot sepse provoi me zë dhe dokumente se Geron, ky baron droge, ky kriminel i pashpirt, drejtonte trafiqet nga Porti i Vlorës, ndërkohë kur kërkohej për të bërë burgun, dënimin në Itali, për krimin që kishte kryer në këtë vend.
Dënimi i sotëm, goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare”, tha Berisha.