Shqipëria do të hapë më 15 tetor në Luksemburg diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në, për çështjet themelore. Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë Greqinë kane dhënë dakordësinë që të zhvillohet konferenca e dytë ndërqeveritare. Ky grup kapitujsh përfshin çështje si Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liritë individuale, siguria dhe kontrolli financiar. Për nisjen e negociatave faktike me vendin tonë sipas zëdhënëses së KE-së Ana Pisonero ndryshe nga Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht shtesë.
“Qëndrimi i Komisionit Evropian është shumë i qartë. Ne presim që vendet anëtare të BE-së të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat për kapitullin e parë të grupit për çështjet bazë me Shqipërinë. Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, kjo duhet të ndodhë kur të ketë përmbushur të gjitha kushtet që janë vendosur nga Këshilli Evropian.”, thuhet në reagim.
Më 2 tetor qeveria shqiptare dorëzoi në Bruksel pozicionin negociues dhe angazhimin e saj për reforma. Kjo vendimmarrje e ambasadorëve nënkupton faktin se Shqipëria po ndahet në procesin e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon të ketë probleme me Bullgarinë. Për shtetin fqinj shkak për shtyrjen e negociatave janë mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Bullgarisë për ndryshimin e kushtetutës maqedonase ku kërkohet që bullgarët të konsiderohen si komb shtetformues.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE ne muajin Korrik të vitit 2022 ndërkohë që ka përmbyllur me sukses procesin screening. Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030.