“Harroje atë. Çfarë e lidh atë me PD. Nuk ka asnjë lidhje me PD. Ai në pabesi ka si vëlla Edi Ramën”. Kështu u shpreh këtë të mërkurë ekskluzivisht në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN Sali Berisha teksa u pyet për Lulzim Bashën.
Megjithatë, nuk ka zgjatur shumë dhe Basha ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ai shkruan në Facebook se Berisha është peng i dosjeve të tij, ndërsa shton se i përdor demokratët si mburojë.
“Sali Berisha është peng i dosjeve të tij, prandaj përdoret nga Edi Rama si gogol në çdo palë zgjedhje. Berisha i përdor demokratët si mburojë, kur i duhen për protestat para SPAK-ut dhe si dele kur i duhen numrat Edi Ramës në Parlament, siç bëri kur bashkoi votat me Ramën për të liruar të korruptuarit përmes amnistisë dhe për të mbyllur listat, shkruan A2.
Demokratët nuk meritojnë të tërhiqen zvarrë nga frika e Berishës nga e shkuara e tij, dhe as të përdoren nga ky i fundit në pazaret me Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Demokratët dhe shqiptarët meritojnë më shumë, prandaj ne do të përballemi me ta në zgjedhje duke iu ofruar qytetarëve një model tjetër, që e përdor politikën për t’i shërbyer njerëzve, jo interesave personale të hallexhinjëve të SPAK. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
/a.r