Nisma për krijimin e një shteti Bektashi brenda territorit të Shqipërisë, sipas teologut Justinian Topulli ka 2 vite që projektohet nga kryeministri Rama dhe njerëzit përreth tij. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, teologu është i bindur se synimet nuk janë ato që deklarohen. Topulli shton se kryeministri Rama nuk ka të drejtë të përcaktojë se kush është Islami në të vërtetë.
Justinian Topulli, teolog: Për mua nuk ishte e papritur se kjo nismë ka të paktën 2 vjet që projektohet nga kryeministri dhe njerëzit pranë tij. Njerëz që kanë punuar pranë tij dhe është përgatitur një draft. Kush janë pas tij, kjo nuk dihet. Jam i bindur se synimet nuk janë ato që deklarohen. Nuk ka nevojë të krijosh një shtet të një tarikati mysliman bektashi për të promovuar tolerancën dhe për të luftuar ekstremizmin. Bektashizmi, përtej rezervave që mund të kemi, përfaqëson vetëm si një grupim të vogël mes myslimanëve. Kështu, si mund të promovojnë ata tolerancën, aq më tepër që Baba Mondi thotë që “ne jemi Islami i vërtetë”. Ai nuk e ka këtë lloj tagri.
Kryeministri duke qenë një pushtetar laik, duke mos qenë mysliman, ai nuk është profet i Islamit dhe as nuk ka të drejtë, as morale dhe as fetare që të përcaktojë se kush është Islami në të vërtetë dhe aq më tepër të krijojë një shtet mysliman apo islamik siç e ka quajtur ai në mes të Shqipërisë. Ka shumë elementë intervista e tij. Deklarata e bektashinjve tha se “nënshtetësi do të marrin vetëm klerikët”. Ky territori i shtetit bektashi që do të jetë sovran do të jetë i hapur që të hyjnë të tjerët. Pse të theksohet për “New York Times” se do të ketë aty bare, klube, restorante që do të ju shërbehet raki aty dhe femrat do të jenë të lira? Klerikët bektashinj janë të gjithë meshujt. Atëherë pse theksohet kjo? A mos tentohet të krijohet tendenca për të krijuar një zonë sovrane që disa gjëra që nuk lejohen në shtetin shqiptar, të lejohen pikërisht aty, kjo është në pikëpyetje.
/a.r