Milani fitoi 2-1 derbin e qytetit kundër Interit, falë një goli të realizuar në fund të lojës nga Matteo Gabbia. Kuqezinjtë kaluan të parët në epërsi me anë të amerikanit Pulisic, por Dimarco barazoi shpejt rezultatin. Në fund ishte skuadra e Fonseca-s që doliu triumfuese nga sfida, ndoshta duke i shpëtuar vendin e punës trajneri portugez.
Ishte pikërisht Fonseca që habiti të gjithë duke rreshtuar të tijtë në skemën 4-4-2, me Leaon dhe Pulisic në krahë dhe dyshen e sulmit Morata-Abraham. Skema u duk se funksionoi, pasi zikaltërve të Inzaghi-t iu desh kohë të përshtateshin dhe pësuan golin e parë. Por ata e morën veten shpejt dhe pas barazimit të Dimarco-s vetëm një pritje fantastike nga Mike Maignan shpëtoi golin e dytë në fund të pjesës së parë.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Rafael Leao që për pak sa nuk shënoi pas një goditje të fortë me kokë, por portieri i Interit Sommer largoi topin. Zvicerani ishte sërish vendimtar në disa raste, por kur të gjithë po përgatiteshin për të ndarë pikët, Gabbia goditi fort me kokë në zonë pas një krosimi të Reijnders nga goditja e këndit, për t’i dhënë Milanit fitoren e dytë në këtë sezon.
Në mbyllje të javës së pestë, të dy skuadrat e Milanos kanë nga 8 pikë në renditje, duke mbajtur vendin e gjashtë (Inter) dhe të shtatin (Milan).
/a.r