Ku të shkoni për pushime në vjeshtë në Europë? Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje revista e njohur e fokusuar tek turizmi “Lonely Planet” në një shkrim në edicionin e saj në gjuhën italiane.
Tashmë që ditët janë më të shkurtra, atmosfera është më e relaksuar dhe valët e turistëve janë rralluar, ekspertët kanë bërë një listim të vendeve ku mund të kalohen ditë të këndshme në destinacione të favorshme.
Në listë është edhe Shqipëria. Dhe teksa plazhet nuk janë më destinacioni kryesor vendin e parë e merr turizmi kulturor.
Ndaj Lonely Planet fton lexuesit e saj të bëhen pjesë e festave lokale.
“Në Shqipëri vjeshta shënohet nga festat vendore kushtuar prodhimeve të tokës. Në zonën e Beratit, një nga qytetet më të vjetra të vendit, prodhohen verëra të shkëlqyera nga varietetet vendase të rrushit”, citohet në shkrim.
Një tjetër destinacion është rajoni i Korçës që sipas saj është i njohur për prodhimin e mollëve dhe festat e fshatit në tetor janë një mundësi për të provuar prodhimet vendase.
Krahas Shqipërisë, revista rekomandon edhe Costa Brava, në Spanjë, Portugalia, Malta dhe Riviera Franceze.
/a.r