Kapiteni Floran Delia, i lindur në Radomirë të Dibrës, baba i tre fëmijëve, bëri fluturimin e fundit mbi vendlindjen e tij, para se të humbiste jetën në aksidentin në Grizhë të Malësisë së Madhe.
Banorët e fshatit tregojnë se helikopteri, në të cilin ishte Deliaj, fluturoi vetëm pak metra sipër kokave të tyre, madje ata kanë arritur të shikojnë kapitenin teksa i përshëndeste me dorë.
Helikopteri EC-145 ka fluturuar aq ulët sa ka tërhequr vëmendjen e të gjithë banorëve, që së bashku më fëmijët e tyre kanë dalë për të parë fluturimin e pazakontë të një helikopteri.
Sipas banorëve, helikopteri ka bërë edhe një kthesë tjetër në fshatin Radomirë, ku ka qëndruar për disa momente në ajër.
Sikur ta kishte parandjerë tragjedinë, Florani kaloi për herë të fundit me helikopter mbi fshatin e tij të lindjes.
Florani ruante lidhje të forta me vendlindjen, madje kishte planifikuar të zhvendosej për të jetuar në këtë banesë dhe t’i përkushtohej turizmit malor.
Banorët dëshmojnë se ka qenë ora 12.42 kur ai është larguar nga hapësira mbi Bushtricë.
Kapiteni njihej në zonën e veriut, pasi në shumë raste emergjence, ai së bashku me koleët e tij u kishte ardhur në ndihmë.
Si një nga pilotët me eksperiencë të gjatë në Forcat e Armatosura, ai ishte dërguar në shumë raste emergjence.