Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka qenë në qendër të të një takimi që Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi me eurodeputeten, Tanja Fajon. Gjatë këtij takimi Basha ka shkuar dhe më tej duke nënvizuar se pa u zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese “nuk mund të ketë asnjë premisë për dialog të mirëfilltë politik”. Duke bërë një panoramë të zhvillimeve në vend, Kreu i PD-së ka theksuar se Shqipëria ka bërë hapa prapa përsa i përket zbatimit të ligjit, demokracisë, standardit të zgjedhjeve dhe situatës ekonomike. Sipas tij, persona më të shkuar kriminale, si trafikant droge, qeniesh njerëzore etj, janë zgjedhur deputet, kryetarë bashkish, në poste të larta të administratës dhe Policisë së Shtetit.
“Qeveria në mënyrë arrogante, ka zhbërë ligjet konsensuale, refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ushtron presion ndaj institucioneve të pavarura, medias etj, si dhe dhunon në mënyrë sistematike të drejtat e qytetarëve”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij, implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në asnjë vend demokratik nuk negociohet por zbatohet e kjo nuk mund të vihet në diskutim as në Shqipëri. Zoti Basha tha se Partia Demokratike nuk tërhiqet dhe se pa zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë asnjë premisë për dialog të mirëfilltë politik.