Tikopia është një nga ishujt më të largët në botë, një parajsë prej vetëm pesë kilometrash katrorë, e vendosur në skajin lindor të Ishujve Solomon. Të shkosh në këtë ishull përfshin përvoja dhe aventura të pafundme emocionuese, megjithatë ky ishull fsheh edhe disa sekrete të errëta që mund të ndryshojnë këndvështrimin tuaj të asaj që konsideroni “parajsë”.
Për të arritur në ishullin Tikopia, duhen tre ditë me varkë vetëm për të arritur në kryeqytetin e ishujve, Lato, dhe pesë ditë të tjera, gjithashtu me varkë, për të arritur në kryeqytetin e vendit, Honiara. Ishulli më i afërt është 130 kilometra larg, kështu që sapo të mbërrini në Tikopia duhet të dini se mbijetesa juaj është e lidhur me burimet që ju ofron ishulli, shkruan A2.
Banorët e këtij vendi mbërritën për herë të parë në vitin 900 para erës sonë dhe për të mbijetuar iu desh të përshtateshin me ishullin dhe të krijonin një lidhje me të gjithë elementët e pranishëm. Nga ana tjetër, duke qenë një grup i vogël njerëzish, të gjitha vendimet merreshin në grup. Megjithatë, si çdo bërthamë familjare, grupi i njerëzve në ishull u rrit dhe vendimet që nisën të merreshin po bëheshin gjithmonë e më të vështira.
Aktualisht, popullsia rezidente në ishullin Tikopia është rreth 1200 banorë. Një numër i vogël njerëzish, por problemi kryesor me të cilin përballen banorët e këtij ishulli është mbipopullimi, gjë që çon në zi buke.
Në të kaluarën, banorët e këtij ishulli morën një sërë vendimesh për të luftuar këto probleme, vendime që bien në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Për shembull, beqarët u varën në litar nga një pemë, disa prindër vetësakrifikoheshin bashkë me fëmijët e tyre duke u mbytur në det, madje të porsalindurit varroseshin të gjallë, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Të gjitha këto praktika u kryen në ishull deri në futjen e krishterimit, në vitin 1858. Aktualisht, kur ka mbipopullim, gjëja më e zakonshme është që të rinjtë të largohen nga ishulli për të kërkuar një drejtim të ri në jetën e tyre në një arkipelag tjetër ose në një ishull aty pranë.
Sot, rreziku më i madh me të cilin përballen banorët e ishullit është ndryshimi i klimës, sepse çdo fatkeqësi natyrore shkatërron prodhimet e tyre dhe shtëpitë. Kjo shkaktoi vizitën e mbretit të ishullit, Ti Namo, në botën perëndimore për të adresuar këto ngjarje dhe për të kërkuar zgjidhje.