Vdekja e papritur e Gerti Bogdanit në moshën 44-vjeçare tronditi jo vetëm familjen dhe miqtë e të afërmit e ish-deputetit demokrat, por mbarë opinionin publik. Ai mbylli sytë ditën e djeshme, 18 shtator pas një arresti kardiak.
Klodiana Spahiu, mjeke dhe deputete e PS-së, e ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, ka treguar minutat e para kur e ka mësuar lajmin. Spahiu tha se telefonoi e shqetësuar kolegët e saj dhe po priste në ankth që të mësonte se Gerti kishte mbërritur me shenja jete në spital, por fatkeqësisht 44-vjeçari nuk ia doli.
Spahiu: Lajmi nuk kishte dalë akoma. Unë isha në një studio dhe pashë operatorët që erdhën shumë të shqetësuar. Mora miqtë e mi kardiologë, në ankth që të kishte arritur me jetë në urgjencë. Mjekët më thanë që kishte arritur pa shenja jete. Njohja me Edlirën ka qenë gjatë gjithë kohës. Të dy bashkë kanë qenë shembulli më i përkryer se çfarë mund të bëjnë dy njerëz të mirë në një shoqëri kaq të ashpër. Me siguri që i ka dhënë një shenjë që e ka detyruar të lëvizë dhe të shkojë në tualet. Fatkeqësia ka qenë mbyllja në tualet. Prezumohet që kjo ka qenë një vdekje e papritur, sepse çdo vdekje që ndodh brenda një orë me dëshmitarë dhe brenda 24 orësh pa dëshmitarë, këto quhen vdekje të papritura…ky është rasti tipik i një vdekjeje të të papritur. Globalisht janë 4-5 milionë vdekje të papritura në vit. A ndodhin kohët e fundit më shumë? Raste të tilla siç ishte rasti i të ndjerit është rasti tipik që nuk ka asnjë shenjë paraprake, asnjë mundësi që ty të të shkojë mendja. Edhe nëse je shumë i shëndetshëm dhe nuk ke asnjë nga faktorët e riskut, se ka dhe plot raste kur ka faktorë risku, ka diabet, kolesterolin e lartë, trashëgimi familjare. Ai njeri nuk kishte asnjërën nga këto. Vdekja e papritur është problem botëror.
Mjekja dhe deputetja Spahiu tha se pavarësisht se mjekësia ka avancuar, sërish numri i vdekjeve të papritura mbetet i lartë. Shkak janë faktorët e tjerë si obeziteti, kolesteroli i lartë, diabeti si dhe stili i jetesës i pashëndetshëm.
Spahiu: Kur ti e krahason nga 1990 deri sot se çfarë ka dominuar në mnjë 10-vjeçar të caktuar dhe çfarë dominon sot…në 20 vitet e fundit, pavarësisht se kardiologjia ka avancuar shumë dhe po realizohen ndërhyrje shumë të shpejta si në rastet e infarkteve si dhe në rastet kur ndërhyhet para infarktit, përsëri numri i vdekjeve të paparitura ka mbetur i njëjtë. Çfarë ndodh me këtë vdekjen e papritur që ne nuk po e gjejmë dot dhe pse nuk po ulet numri i vdekjeve të papritura? Sepse dalin faktorë të tjerë, është obeziteti një faktor shumë i rëndësishëm. Është diabeti.
/a.r