Nga Carlo Bollino
Dosja e mbledhur nga SPAK kundër Sali Berishës për mënyrën sesi ai përdori autoritetin e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin e tij në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, është padyshim një goditje tjetër e fortë për shpresën e Partisë Demokratike për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, nuk është vetëm për shkak të akuzës për korrupsion që Sali Berisha nuk e meriton të kthehet në krye të vendit, por sidomos e mbi të gjitha sepse ai vazhdon të tregojë se ka mbetur një diktator. I fundit në Ballkan! Një vend si Shqipëria, që aspiron t’i bashkohet familjes së demokracive të mëdha evropiane, nuk e meriton të drejtohet nga një njeri që nuk respekton liritë e të tjerëve dhe opinione ndryshe.
Në përpjekje për të demonstruar se janë viktima të persekutimit politik në procesin e korrupsionit, Sali Berisha dhe familja e tij harrojnë në fakt të tregojnë se zotërojnë vlerën më të rëndësishme për ata që pretendojnë se janë të zgjedhur: Të qenit liberal dhe demokrat. Kërcënimet dhe shpifjet e tyre të vazhdueshme ndaj gazetarëve që i kritikojnë, sulmet e turpshme ndaj sistemit të drejtësisë që po i gjykon dhe kriminalizimi stalinist i çdo kundërshtari politik, demonstrojne në te kunder të njëjtën urretje dhe intolerancë të dhunshme dhe joliberale ndaj të tjerëve që kanë ushtruar për 33 vjet.
Që nga viti 1991, Sali Berisha ka dëshmuar se është diktatori, i cili, pasi përfitoi nga lufta e Lëvizjes studentore që arriti të rrëzonte regjimin e Ramiz Alisë pa dhënë asnjë kontribut, përvetësoi fjalën “demokraci” duke kalëruar mbi dallgën e pluralizmit. Në fakt, në krye të Partisë Demokratike të sapoformuar nuk ishte Sali Berisha, por Azem Hajdari dhe bashkë me të Gramos Pashko dhe një grup tjetër intelektualo-kundërshtarësh që kishin luftuar realisht kundër Ramiz Alisë, duke rrezikuar reprezaljet e sistemit komunist. Kur nuk kishte më asnjë rrezik personal, Berisha thjesht u tregua më i zoti se ata në parakalimin e tyre dhe duke manipuluar konsensusin e brendshëm duke përdorur armën e shpifjes edhe atëherë, ai mori drejtimin e partisë së re, të cilën që nga ai moment nuk e ka lëshuar më kurrë.
Sali Berisha rrëmbeu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk kanë pasur kurrë skrupuj të negociojnë edhe me diktatorët, me kusht që të jenë funksionalë ndaj strategjive dhe interesave amerikane. Në atë kohë në Uashington mjaftonte që në krye të Shqipërisë të ishte një forcë formalisht antikomuniste dhe mbi të gjitha që nuk u përfshi në çështjen e Kosovës: Sali Berisha u betua se do t’i respektonte të dyja kushtet. Dhe kështu ai kishte “carte blanche” për të imponuar modelin e tij të qeverisjes, i cili ndiqte të njëjtën metodë enveriste, porse ai tani e quante “demokratik”. I pari që e pësoi ishte sistemi i drejtësisë: me pretekstin për të hequr qafe gjyqtarët dhe prokurorët komunistë, Berisha e shndërroi atë në një aparat totalisht të kontrolluar nga familja. Ai caktoi gjyqtarë dhe prokurorë të zgjedhur nga ai personalisht ose nga vajza e tij. Ata që nuk kishin as diplomë, ai i diplomoi në gjashtë muaj me kurset e famshme të Plepave që ndër të tjera lindën ”gjyqtarë” si Gjin Gjoni e shumë të tjerë, të gjithë nën kontrollin e plote të Berishës.
Sistemi Berisha i stilit enverist jo vetëm që nuk parashikonte një gjyqësor të pavarur, por nuk përfshinte as të ”drejtën opozitare” për të kritikuar dhe kundërshtuar: përfundoi në këtë sëpatë “demokratike” Fatos Nano, kreu i Partisë Socialiste (forca e vetme opozitare në ato vite) të cilin e kishte arrestuar në një gjyq farsë për korrupsion të organizuar nga prokurori Genc Gjokutaj, i cili tani është kthyer krah tij, por këtë herë si avokat. Nano nuk përfundoi në arrest shtëpie si ndodhet sot Sali Berisha, por u izolua në burgun e largët të Bençës, ku iu mohua për vite të tëra çdo e drejtë komunikimi.
Më pas ishte radha e shtypit kritik për të përfunduar në mulli të Berishës. Filluan arrestimet e gazetarëve, kërcënimet dhe ekzekutimet. Unë personalisht “vetëm” sa u dëbova nga vendi dhe ndoshta të qenit italian më shpëtoi nga përfundime më të këqija. Berisha tentoi të shpronësonte edhe gazetën time, gjë që u shmang vetëm me guximin e gazetarëve të mi. Por terrori mbretëroi mes të gjithëve dhe liria e informacionit u cënua seriozisht.
Më pas, diktatori i fundit ballkanik kaloi në manipulimin e zgjedhjeve, një fenomen që shpërtheu me votat e vitit 1996 kur Partia e tij Demokratike mori 105% të votave në shumë zona, me keq se sa Enveri që ishte ndalur gjithmonë në 98%. “E pranoj që e kemi ekzagjeruar pak”, tha vite më vonë ish-kreu i Partisë, Tritan Shehu. Shërbimet e saj sekrete të udhëhequra nga fondamentalisti islamik Bashkim Gazidede ndërkohë krehën vendin, duke izoluar, spiunuar, kërcënuar dhe ndonjëherë eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm. Policia ishte nën komandën e zëvendësministrit të Brendshëm Agim Shehu, i cili me kostum dhe kravatë rrihte personalisht demonstruesit e opozitës sa herë që guxonin të dilnin në rrugë.
Mbipushteti që e lejoi të kontrollonte qeverinë, parlamentin, presidencën e republikës, shërbimet sekrete, prokurorinë, gjykatat, policinë, forcat e armatosura dhe çdo anëtar të administratës shtetërore e shtyu atë të lejonte, pastaj të mbronte dhe në fund të promovonte mashtrimin e sistemit të piramidave, i cili megjithatë u shemb në vitin 1997, duke shkaktuar një luftë civile të shkurtër, por të përgjakshme. Një kolaps që dogji 80% të kursimeve të gjithë popullsisë shqiptare.
Pasi përfundoi në opozitë, Sali Berisha nuk ndryshoi: në shtator të një viti më vonë (1998) tentoi një grusht shteti duke përdorur si pretekst vrasjen e armikut të tij të brendshëm në Partinë Demokratike, Azem Hajdarit, i cili u ekzekutua nga Ish-truproja e Berishës. Berisha, megjithatë, nuk hezitoi të gënjejë prapë dhe të akuzojë Fatos Nanon për krimin. Edhe atëherë kushdo që kundërshtonte versionin e tij kriminalizohej, ofendohej publikisht dhe kërcënohej apo përjashtohej nga partia. Asnjë gjykatë deri më tani nuk ka guxuar ta gjykojë Berishën për këto krime edhe pse kryengritja e armatosur nuk është parashkruar dhe dënohet me burgim të përjetshëm.
Në vitin 2005 Berisha u përpoq të pastronte fytyrën duke shpikur KOP-in, i cili duhej të shënonte një ndryshim imazhi për të kaluarën e tij diktatoriale. Ai u rrethua me intelektualë dhe të rinj evropianë të udhëhequr nga Lulzim Basha, të cilët e ndihmuan të kthehej në pushtet, por jo të ndryshonte. Ata që mbetën me të u klonuan shpejt, duke gjeneruar shumë diktatorë të vegjël sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tij. Ata që refuzuan klonimin shpëtuan veten duke u larguar sërish nga PD.
Këto janë vitet në të cilat u gatua skandali i privatizimit të Kompleksit Partizanit, por edhe i Gërdecit, tenderi i Rrugës së Kombit, skandali i Damir Fazlliçit, deri në masakrën tragjike të 21 janarit, kur Berisha jo vetëm akuzoi opozitën për vrasje e 4 demonstruesve (dhe në vend të kësaj kishte qenë Garda e tij), por ai akuzoi edhe gazetarët që thanë të vërtetën si puçistë dhe penguan që gardistët fajtorë të arrestoheshin me urdhër të prokurorisë. Diktatori Sali Berisha ishte kthyer në natyrën e tij dhe i tillë mbeti deri në humbjen e tij elektorale në 2013: duke kontrolluar çdo dhomë të shtetit dhe duke përdorur shtetin për të kultivuar interesat e tij personale, për të pasuruar familjen dhe për të ruajtur pushtetin e tij. Kështu, Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021, duke e shpallur ”non grata” të gjithë familjen Berisha, e përkufizoi si ”minues i demokracisë, i përfshirë familjarisht në korrupsion domethënës dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë”.
Sot, 11 vite pas humbjes së pushtetit, Sali Berisha dëshmon se nuk ka ndryshuar fare, dhe se mbetet i njëjti lider i dhunshëm dhe joliberal, i cili, siç ka bërë pandërprerë këto 31 vitet e fundit, rrethohet vetëm me shërbëtorë të verbër, ndërsa vazhdon ta sulmojë këdo që e kundërshton. Sulmon shtypin e lirë, sulmon drejtësinë që nuk e kontrollon dhe sulmon, kërcënon e shpif këdo që e kritikon, qoftë përfaqësues i shtetit apo qytetar privat pa treguar asnje lloj respekti per të vertetën, per kundershtarët apo për vetë Shtetin. SPAK pretendon se është edhe i korruptuar, por arsyeja kryesore pse ky njeri nuk meriton të fitojë zgjedhjet është se ka mbetur në shpirt dhe kulturë çka ka qenë gjithmonë: një diktator, tashmë i vogël, por jo më pak i rrezikshëm.