Korça, së bashku me fshatrat përreth – Voskopojën, Dardhën dhe Boboshticën – vazhdon të tërheqë turistë të huaj gjatë gjithë muajit shtator, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World” (TTW).
Vizitorët, kryesisht nga Evropa Perëndimore, tërhiqen nga trashëgimia e pasur kulturore dhe vendet arkeologjike të vendit mesdhetar.
Një grup turistësh spanjollë – për herë të parë – shprehën admirimin e tyre për mikpritjen e ngrohtë dhe natyrën e pacënuar që hasën në zonë.
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Është me të vërtetë një vend i bukur dhe i pastër, dhe unë jam i mahnitur nga dashuria dhe paqja që na ofron ky vend”, tha një turist.
“Kam dëgjuar kaq shumë për Shqipërinë, por ta shohësh nga afër është mbresëlënëse. Njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe gjithmonë të buzëqeshur”, shtoi një turist tjetër.
Guida, e cila shoqëronte turistët, theksoi se vizitorët e huaj janë shumë të tërhequr nga historia e pasur e Shqipërisë.
Operatorët e turizmit në Shqipërinë juglindore kanë bërë të ditur se muaji tetor është tashmë i rezervuar me turistë të huaj, duke shënuar një rritje të dukshme të interesit krahasuar me vitin e kaluar.
Nga Riviera Shqiptare, Alpet veriore madhështore dhe deri te kështjellat historike dhe monumentet kulturore, Shqipëria ofron një shumëllojshmëri destinacionesh për vizitorët që duan të eksplorojnë.
Sipas të dhënave të fundit, vendi i vogël mesdhetar mirëpriti 8,5 milionë vizitorë deri në fund të gushtit të këtij viti krahasuar me 7,5 milionë të vitit të kaluar.
ATA