Nga Ervis Iljazaj
SPAK është vënë nën shenjestër të opozitës prej kohësh, që nga koha kur Kryetari i Partisë Demokratike është nën hetim prej tij. Madje, duket sikur qëllimi i vetëm i PD-së është sulmi i përditshëm ndaj këtij institucioni, për shkak të konfliktit të interesit që ka kryetari i saj. E gjithë energjia e opozitës fatkeqësisht është e fokusuar në këtë drejtim. Duke lënë pas çështje të tjera dhe strategjitë politike që mund ta bëjnë atë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Në fakt ky institucion ka përpara disa sfida dhe çështje nga të cilat do të varet edhe ardhmja e tij. Në varësi se si do të sillet, ai ose do të disktretitohet ose do të kthehet vërtetë në shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Fakt është se çështjet e hetuara prej tij janë kthyer në problem për politikën shqiptare, si majtas ashtu edhe djathtas.
Për këtë arsye ka një luftë të hapur të politikës ndaj SPAK me mënyra të ndryshme. Disa të hapura dhe publike, disa të nëndheshme. Një nga këto për shembull, është edhe komisioni i famshëm anti-korrupsion Xhafaj, i cili dyshohet se mund të ketë qëllime për të ngadalësuar veprimtarinë e SPAK.
Është normale, që politika të jetë në konflikt me drejtësinë, gjithmonë ka qenë kështu. Sepse të dy pushtetet ndajnë qëllime të ndryshme. Aq me tepër në Shqipëri, ku klasa politike 34 vjeçare konceptohet nga qytetarët si e korruptuar.
Çështja është se kush ta do ta fitojë këtë betejë? Çështja është nëse do të mbijtetojë kjo klasë politike apo SPAK. Sepse të dyja bashkë, me të gjitha gjasat nuk mund të bashkëjetojnë.
Ishte e çuditshme se si në vitin 2016 parlamenti shqiptar votoi me unanimitet Reformën në Drejtësi. E çuditshme për faktin se ajo ishte një drejtësi, e cila presupozohej që do të hetonte klasën politike, e cila e votoi. Dukej si një akt mazokist nga politika shqiptare që të ngrinte organe të reja të drejtësisë, të cilat do të merreshin me korrupsionin 33 vjeçar në Shqipëri. Dhe në fakt, korrupsioni ka qenë i madh. Kështu të paktën perceptohet nga opinioni publik shqiptar dhe nga të gjitha raportet që janë zhvilluar nga organizata të besueshme ndërkombëtare.
Është e qartë se politika shqiptare e votoi Reformën në Drejtësi, nën presionin e hapur amerikan dhe ndërkombëtar. Të gjithë i kuktojnë mesazhet që ish-Ambasadori Amerikan Donald Lu i dërgonte deputetëve të parlamentin për të votuar reformën.
E megjithatë, edhe pse nën presionin amerikan, klasa politike e Shqipërisë nuk mund të ishte aq vetë-flijuese sa të miratonte një reformë të tillë që do përdorej kundra saj. Shpresa e saj ishte pikërisht deformimi i reformës gjatë rrugës dhe gjatë aplikimit të saj.
Dhe kështu ndodhi. Opozita shqiptare e bojkotoi Reformën, ndërsa mazhoranca duke qenë se ishte e vetmja forcë politike në tryezë u mundua të ndikonte te organet e saj, dhe ndikoi. Mungesa e fazës tranzitore e drejtësisë dhe mungesa e njërës nga palët politike bëri që kjo reformë në shumë pjesë të saj të mbushej me politicitet.
Nuk ka dyshim se në ndërtimin e organeve të reja, Partia Socialiste ka dorën e saj te Reforma në Drejtësi. Por përtej këtij ndikimi, ShBA dhe BE arritën që të ngrinin organet e reja të drejtësisë, sidomos SPAK. I cili megjithë përpjekjen e vazhdueshme të pushtetit për ta ndikuar, ka arritur të mbajë një lloj pavarësie me mbështetjen amerikane. Dhe shenjat e kësaj pavarësie i ka dhënë kohët e fundit me hetimet që ka kryer në nivele të larta të pushtetit, si asnjëherë tjetër në 34 vite pluralizëm në Shqipëri.
Është e qartë se më gjendjen ku ndodhet pushteti dhe opozita sot, i vetmi kundërshtar politik i Edi Ramës dhe qeverisë së tij është SPAK. Nëse vazhdon me ritmet që na ka mësuar kohët e fundit, SPAK realisht mund të jetë problem kryesor i pushtetit të Edi Ramës. Në këtë kuptim lipset një frenim i punës së tij. Për ta bërë këtë, Rama dhe pushteti ka nevojë për aleatë politik. Dhe i vetmi aleat që është hapur kundër SPAK dhe drejtësisë së re, është Sali Berisha.
Të dyve i intereson që drejtësia e re të stopojë dhe të deligjitimohet. Nëse nuk e bëjnë dot duke prishur organet e reja, atëherë mbetet që frenimi ndaj SPAK të bëhet në parlament. Si për shembull duke ndryshuar kodin penal, apo duke ndryshuar ligjet organike të organeve të reja të drejtësisë.
Nuk dihet ende nëse marrëveshja e re Rama-Berisha ka si tabelë qitjeje pikërisht drejtësinë e re. Por rreziku qëndron. Sa herë që politika e vjetër është bërë bashkë dhe ka bërë marrëveshje jo transparente, kjo marrëveshje ka qenë në kurriz të demokracisë dhe drejtësisë.
Nga marrëveshja e fundit, e para që sakrifikoi ishte Reforma Zgjedhore. Tashmë është e qartë se lista të hapura nuk ka. Të dy kryetarët me ligjin që aprovuan konsoliduan pozitat e tyre në krye të partisë. A do të jetë kurbani i radhës SPAK i cili do të ekzekutohet nga binomi Rama-Berisha? Dëshira e tyre është që po, sepse nuk ka asnjë klasë politike që dëshiron një institucion që ta hetojë atë. E vetmja shpresë është këmbëngulja amerikane për ta mbështetur këtë institucion. Në të kundërt, nëse edhe aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë do të heqin dorë nga kjo mbështetje, shumë shpejt SPAK do të mbyllë dyert.
Ne rast se drejtesia dhe SPAKU ne vecanti do te bazohet ne prova ,nuk ka politik qe e nxjerr nga loja
I dashur gazetar ndryshimet në spak u bënë nga mazhoranca e detyruar nga opozita sepse ka patur për 8 vite rresht 74 deputetë. Ndërkohë ndryshimet kushtetuese për keq u udhëhiqen nga opozita pd-lsi . Disa gjëra duhet të thuhen tl ndahen për të mos i futur në një kazan.
Komisioni bipartizan me Xhafajn në krye është për të mos u kthyer Shqipëria në një shtet prokurorësh, siç ka prova që disa herë deputetët futen në burg vetëm se akuzohen politikisht për korrupsion pa asnjë fakt e më pas ata të dënohen (mungesë fakti ), për shpërdorim detyre , pra (agjitacion e propagandë). Besoj më kupton. Prandaj dhe Dash dhe BE ka filluar të mbështesë pa asnjë iluzion të keq PS-në , mazhorancën e tanishme. Respekt.
I dashur gazetar ndryshimet në spak u bënë nga mazhoranca e detyruar nga opozita sepse ka patur për 8 vite rresht 74 deputetë. Ndërkohë ndryshimet kushtetuese për keq u udhëhoqen nga opozita pd-lsi . Disa gjëra duhet të thuhen rip e të ndahen për të mos i futur në një kazan.
Komisioni bipartizan me Xhafajn në krye është për të mos u kthyer Shqipëria në një shtet prokurorësh, siç ka prova që disa herë deputetët futen në burg vetëm se akuzohen politikisht për korrupsion pa asnjë fakt e më pas ata të dënohen (mungesë fakti , përfitim material), për shpërdorim detyre , pra (agjitacion e propagandë). Besoj më kupton. Prandaj dhe Dash dhe BE ka filluar të mbështesë pa asnjë iluzion të keq PS-në , mazhorancën e tanishme. Respekt.