Lisandër Hoxha, një prej miqve dhe bashkudhëtarëve politikë të Gerti Bogdanit ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai tha për gazetarin Blendi Fevziu se Bogdani nuk ka pasur kurrë probleme me shëndetin pasi ishte një njeri që nuk abuzonte dhe bënte një jetë të rregullt familjare.
“Asnjëherë nuk ka pasur probleme. Një natyrë sportive. Ecte në këmbë. As abuzime. Ka bërë një jetë të rregullt familjare. Nuk ishte tip që dilte. Nuk konsumonte alkool. Duhanin social po themi ne, por jo ndonjë abuzim”, tha Hoxha.
Ai tregoi edhe herën e fundit që është takuar me Bogdanin dhe pengun që i mbeti.
“Para disa ditësh u shkëmbyem, e lamë që të takoheshim këtë javë për kafe dhe të them të drejtën më ka ngelur dhe peng kjo pjesë sepse Gerti siç ka mbaruar me medalje ari ishte dhe mik me medalje ari në aspektin social, personal, mirëbesimit njerëzor”, tha Hoxha.
“Nuk doja ta besoja si lajm, shumë e dhimbshme që një djalë i ri, një prind, një koleg që e ke njohur prej 17 vitesh papritur largohet nga jeta”, shtoi më tej ai.
Gerti Bogdani humbi jetën këtë të mërkurë në moshën 44-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak. Homazhet për të do të mbahen të enjten (19 Shtator) në sallën e Kuvendit dhe më pas ai do të prehet në varrezat e Sharrës.
/a.r