Gerald Baramuça, i mbijetuari i tragjedisë së ndodhur dy ditë më parë, kur helikopteri i Ushtrisë u rrëzua në ujërat e liqenit të Shkodrës rrëfen momentet e tmerrit dhe si mundi të shpëtojë.
“Kur helikopteri ra në liqen, kam dalë nga kabina dhe kam notuar për disa metra. Drejt meje po vinte një varkë. Pastaj mbaj mend vetëm kur jam përmendur në spitalin e Shkodrës dhe kam telefonuar familjen”- thotë ai në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”
Në spitalin Ushtarak ai ruhet nga forcat e Ushtrisë. Gjatë intervistës, i riu shprehet se kanë qenë në një lartësi rreth 15 metra mbi liqenin e Shkodrës dhe nuk kanë pasur asnjë problem gjatë udhëtimit.
Gerald, ti je i vetmi që fatmirësisht shpëtoi nga ngjarja tragjike e ndodhur me helikopterin “EC 145”, me numër bordi 637. Si ndodhi ngjarja? Isha i ulur në pjesën e pasme të helikopterit. Para meje qëndronin të ulur dy kolegët dhe shokët e mi, Donaldi dhe Floriani. Në vesh kishim vendosur kufjet dhe unë isha duke bërë një video me celularin tim. Ndonjëherë bënim edhe gallata gjatë rrugës.
Si munde të shpëtoje?
Kur helikopteri ra në liqen, direkt kam dalë nga kabina dhe notova në ujë. Ka mundur të notoj disa metra, derisa pashë se drejt meje po vinte një varkë që më shpëtoi.
Ishit nisur me shërbim?
Po. Ishim nisur me shërbim. Ishim në krye të detyrës. Ishte një fluturim patrullimi. Jemi nisur në mesditë, nga ora 12 e pak minuta.
Gjatë fluturimit, në çfarë lartësie ishit nga liqeni?
Nuk ishim shumë lartë. Nuk mund ta them me saktësi, por rreth 10 ose 15 metra mbi ujë.
Keni hasur probleme gjatë fluturimit? Ulje-ngritje?
Jo, jo. Helikopteri ka qenë në rregull. Nuk kemi pasur asnjë shqetësim. Nuk e di se si ndodhi. Nuk më kujtohet mirë gjithçka ndodhi, por di të them se është fat që jam gjallë.
Gjatë kohës që keni notuar në ujë, ke ndjerë dhimbje?
Jo, nuk kam ndjerë asgjë në ato momente. Kur kam hipur në varkë, më ka rënë në fikët dhe nuk mbaj mend asgjë derisa jam zgjuar në spitalin e Shkodrës.
Po me dy shokët e tu more vesh gjë më vonë se çfarë u bë?
Në ato momente jo. Dhe nuk mundem ta kujtoj të gjithë skenën se çfarë ndodhi.
Kur familja juaj e mori vesh se ishit i plagosur, si reagoi?
Ata e dinin që isha mirë. Sapo jam përmendur në spital, i kam kërkuar telefonin një infermieri dhe kam marrë mamin. E dija që lajmi do të kishte marrë dhenë dhe i thash: “Unë jam mirë dhe mos ki merak”.
Fatmirësisht je jashtë rrezikut për jetën. Mund të më tregosh se ku i ke plagët e marra?
Kam thyerje në krahun e majtë. Kam edhe këto gërvishtjet e vogla në fytyrë (tregon shenjën afër hundës dhe një në kokë). Por më e rëndësishmja është se jam gjallë. Dua të shpreh edhe ngushëllimet për dy shokët e mi.