Shpërthimi i skandalit botëror “Panama Papers”, pasuar me akuza, dokumente dhe emra biznesmenësh shqiptarë, të përfshirë në aferën e oazit fiskal, ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese shqiptare. Në lëvizje janë vënë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave etj.
Po çfarë roli po luan konkretisht ILDKP, institucioni kryesor për verifikimin dhe kontrollin e parave, në këtë histori? Përpos verifikimit të pasurimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve, një grup inspektorësh të ILDKP mësohet se po gjurmojnë paratë e pushtetarëve shqiptarë, në dhjetëra parajsa fiskale, në disa kontinente.
Sipas burimeve për ‘Shqiptarja.com’ pranë këtij institucioni, lëvizja e ILKDP nuk është diktuar kryesisht nga dosja “Panama Papers”, por furtuna “Panama Papers” do të ndikojë në orientimin dhe intensitetin e punës së inspektorëve. Bëhet fjalë për një grup prej pesë inspektorësh, të mbështetur edhe nga ndihmës inspektorë, të cilët po gjurmojnë lëvizjen e parave të dyshimta dhe investimet e zyrtarëve shqiptarë jashtë vendit.