Flutura Açka i dha përgjigje disa pyetjeve mbi lëvizjen me të cilën ajo dhe deputetët Enkelejd Alibeajt, Dashamir Shehi dhe Arbër Agalliu do të hyjnë në zgjedhjet e 2025.
Açka akuzoi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën se kanë copëzuar Partinë Demokratike, çka çoi sipas saj edhe në faktin që një pjesë e opozitës të konvertohej në zgjatim të qeverisë.
“Mua ndonjëherë më duket në momente të caktuara në Parlamentin shqiptar sikur opozita, një pjesë e saj jo e gjitha, sikur në momente të caktuara, fragmente të caktuara, për ligje të caktuara, sidomos për Kodin Zgjedhor u bë një zgjatim i mazhorancës. Që do të thotë nuk e ka bërë detyrën siç duhet. Në këto kushte, kjo iniciativë është shumë e pafajshme. Mbi të gjitha ne mëtojmë të rrisim vëmendjen mbi çështjet që përmendi zoti Shehaj dhe janë shumë të rëndësishme. Në një klub ku shahet SPAK-u, ku shahet ambasada amerikane, ku shahen ndërkombëtarët, do të jetë e vështirë të jemi të gjithë përfaqësues në atë klub. Kjo është ajo ndarja që ka ndodhur në opozitë dhe nuk ka ardhur për faj të kësaj pesësesh, por për një çështje më të gjerë. Ky grup i vogël nuk mund të ndryshojë gjë në atë parlament të kalcifikuaar, por synon të rrisë ndjeshmërinë publike për faktin që opozita nuk i ka bërë mirë detyrat e saj dhe po shkon në 2025 e përçarë. Një përçarje që erdhi nga lidershipi i saj, nga të dy. Sikur të kishte vazhduar ajo çarje në dy, që të dyja pjesët të forcoheshin si të pavarura dhe në prag të zgjedhjeve ndoshta të bashkoheshin në një koalicion, do të ishte më mirë.”
E pyetur nëse lëvizja e krijuar rishtazi prej tyre është anti-Berishiste, Açka u përgjigj duke thënë se alternativa e re do të jetë “shtëpi” për të ç’berishuarit që nuk e gjejnë veten në PD e sotme dhe njëherësh refuzojnë të votojnë për PS.
“Janë 5-6 grupime brenda Partisë Demokratike. Unë them që alternativa është përbashkuese. Ata që kanë mbetur dhe që janë ç’berishuar, që nuk mendojmë më se duhet të vazhdojnë me Berishën, atëherë kjo pjesë duhet të organizohet apo do t’ia falim socialistëve? Lëvizja është e qartë se çfarë ka thënë. Edhe zërat që këta tani po bëjnë një ndarje të re, është shumë e gabuar dhe anatemuese dhe kërkojnë fajtorin aty ku nuk është. Fajtorin duhet ta kërkojnë në datën 26 korrik me atë çfarë ka ndodhur me Kodin Zgjedhor, me të cilin ia dhanë minimumi 12 mandate Edi Ramës.” (A2 Televizion)