“Krim artistik” e quan Roza Kaçinari ‘zhdukjen’ e tri busteve të bashkëshortit të saj, kompozitorit të ndjerë, Mark Kaçinari.Ajo thotë se ky është një kuriozitet që nuk ngjan askund në botë, përveç në Kosovë.
Krahas njërit bust që ka qenë i vendosur te varri i kompozitorit në Prizreni, një tjetër ka qenë te objekti i Korit “Colegium Cantorum”, ku sot gjendet Filarmonia e Kosovës, e tjetri te ndërtesa e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, ku më herët ka qenë e vendosur Lëvizja “Vetëvendosje”.
Drejtori aktual i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, thotë se me ardhjen e tij në krye të këtij institucioni nuk ka hasur në asnjë bust.
Madje, Jashari shtoi se me të marrë këtë informacion, edhe ai vetë ka kërkuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Edhe kryetari i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, Zeqirja Ballata, në një deklaratë nëpërmes telefonit për emisionin “Express” të KTV-së, ka thënë se nuk kanë hasur në ndonjë bust kur janë vendosur në objekt. Madje, ai ka shtuar tutje se nuk e dinë ku gjendet as busti i Rexho Mulliqit.Busti i Mark Kaçinarit ishte punuar nga skulptori i ndjerë, Agim Çavdarbasha, në vitin 1987.Bashkëshortja e tij, Sabahete Çavdarbasha, shprehet e habitur me këtë që ka ndodhur.
Ajo bëri të ditur se është interesuar për të gjetur origjinalin e bustit të punuar në gips.
Sot nuk ekziston asgjë që mundëson për ta parë se si është dukur busti i Mark Kaçinarit. Kjo meqë në trazirat e marsit të vitit 2004 Muzeu Çavdarbasha ishte djegur. Andaj, bashkëshortja e skulptorit ka një apel për ata që mund të kenë ndonjë informacion.
Bashkëshortja e kompozitorit Kaçinari tregoi se rastin e ‘zhdukjes’ së bustit në Prizren e kishin paraqitur në polici shumë vite më parë, por që nuk kishte pasur asnjë lëvizje pozitive. Ndërkohë, në Prishtinë nuk e kanë paraqitur si rast, me shpresën se ata që dinë diçka, do të reflektonin.