Mëngjesi i kësaj të hëne nisi me përmirësime të kushteve të motit. Reshjet e shiut u ndërprenë pas mesnate por temperaturat shënuan rënie të menjëhershme mes 8 dhe 12 grade celsius. Gjithsesi vranësirat mbeten të pranishme pothuajse në të gjithë verilindjen.
Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë katër ditëve dhanë shumë pak ndikim në përmirësimin e situatës hidrike duke shtuar prurjet vetëm në 75 metër kub ujë në sekonde nga 40 metër kub ujë në sekonde që ishin të premten, ndërsa nivelin e ujit në liqenin e Fierzës e rriten vetëm me 30 cm në 24 orët e fundit.
Aktualisht niveli i ujit është 271.6 metra mbi nivelin e detit me tendencë rritje graduale nga 271,25 metra mbi nivelin e detit që ishte në fundjavë. Hidrocentrali i Fierzës punon me kapacitet të reduktuar me dy turbina për prodhimin e energjisë elektrike. Reshjet e dendura të shiut ri sollën gjatë natës problematikat në disa akse rrugore si pasojë e rënies së gurëve dhe inerteve nga skarpatet anësore, kryesisht në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Peshkopinë, Fushë Arrezin por edhe në Margegaj – Valbone dhe Dushaj-Lekbibaj në bashkinë e Tropojës.
Probleme u shfaqen edhe në rrugët rurale të disa fshatrave. Kompanitë sipërmarrëse dhe ato të mirëmbajtjes së rrugëve rurale të bashkive punuan për pastrimin dhe rivendosjen e qarkullimit normal në akset problematike. Energjia elektrike u ndërpre për disa orë në disa fshatra të njësive administrative Bytyc, Lekbibaj, Gjinaj, Zapod, Grykecaje e Surroj.
Grupet e punës të OSHEE janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve në rrjet dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat ku mungon. OSHEE tha se në pjesën më të madhe të fshatrave defektet janë riparuar dhe furnizim me energji vijon normalisht.
Gazetare: Nermin Spahiu