Policia e Tiranës ka vënë në pranga 1 person të shpallur në kërkim nga operacioni “Tempulli 4”, duke e çuar në 25 numrin e të arrestuarve.
Bëhet fjalë për një 24-vjeçar, i cili u kap në afërsi të zonës së Brrylit në kryeqytet.
“Bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë vijuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat, në afërsi të Brrylit, u kap dhe u ndalua shtetasi O. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njoftoi policia.
Uniformat blu thonë se po vijojnë punën për kapjen e 3 personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë operacion.
Kujtojmë se operacioni “tempulli 4” u finalizua të shtunën. Drejtori i Policisë së Tiranës, tonin Vocaj tha se grupi kriminal me 28 persona shpërndante kokainë, marijuanë dhe drogëra sintetike afër shkollave, në lokale nate dhe zona të ndryshme të Tiranës.
Nga hetimet u zbulua se lënda narkotike sintetike dërgohej në Shqipëri përmes postës nga Serbia. Gjatë operacionit, u sekuestruan 1.8 kg kokainë, 18 kg marijuanë, 350 doza lëndë narkotike të drogërave sintetike si ekstazi, LSD etj.
/a.r