Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ndodhet në Athinë ku ka zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj. Temë e diskutimeve ka qenë procesi i regjistrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet ku ndodhen.
Mësohet se Tahiri u ka bërë të ditur përfaqësuesve të emigrantëve se regjistrimi është një mekanizëm për t’u shërbyer atyre në vendet ku ata janë vendosur dhe jetojnë.
Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ju – ka theksuar Tahiri, – ndërsa ka shtuar se ky është një borxh që po jua kthejmë duke ju shërbyer për kontributin dhe sakrificat që keni bërë për Shqipërinë.
Më tej ai ka përmendur faktin që janë bërë shumë premtime për votën e emigrantëve nga politika, por pavarësisht kësaj, deri më sot nuk është bërë asgjë, duke vënë në dukje që procesi i regjistrimit do të shtronte bazat për garantimin e të drejtës së votës së emigrantëve.
Saimir Tahiri shoqërohej në takimet e zhvilluara edhe nga zv/ministri i Brendshëm Stefan Çipa dhe ambasadori i Shqipërisë në Athinë Dashnor Dervishi.