Futbolli italian nuk po kalon momentet më të mira, në nivel klubesh e kombëtareje, megjithatë trajnerët vazhdojnë të mbeten në modë e të jenë ndër më të vlerësuarit.
Kohët e fundit ka pasur rritje në pagat e trajnerëve, ndonëse për lojtarët në Itali nuk jepen më ato shifrat e çmendura të dikurshme.
La Gazzetta dello Sport është hapur sot pikërisht me artikullin për vlerat e trajnerëve “të kaltër”.
Në vendin e parë është Carlo Ancelotti, i cili, që nga 1 korriku do të marrë drejtimin e Bayern Munih, me pagë 7.5 milionë euro në vit.
Pas tij vjen Antonio Conte, që gjithashtu më 1 korrik rikthehet në një skuadër klubi, Chelsea, me pagë 6.7 milionë euro në vit.
Më poshtë, dy trajnerë në Itali, Max Allegri i Juventusit, me 5 milionë euro vjetore pas rinovimit të kontratës me bardhezinjtë, dhe Roberto Mancini, i paguar 4 milionë euro nga Inter.