Në përpjekje për të rënë në gjurmët e të dyshuarit të tretë si autor i shpërthimeve në aeroportin e Brukselit, autoritetet belge publikuan një tjetër imazh të shkëputur nga kamerat e sigurisë.
Pamjet shfaqin të dyshuarin deri në orën 09:50, me një kapele dhe një xhaketë të hapur, i njëjti person që shihet në terminal duke shtyrë një karrocë së bashku me dy autorët e tjerë të sulmeve terroriste.
Gjatë publikimit të videos, zyrtarët belgë thanë se autori ka hedhur xhaketën dhe bënë thirrje për këdo që mund të ketë gjetur ta dorëzojë në polici.
Sulmet e 22 marsit në Bruksel në aeroport dhe në metro vranë 32 persona dhe plagosën dhjetra të tjerë.
Besohet se tre atentatorë kanë sulmuar aeroportin, dy prej të cilëve janë vetëshpërthyer. I vetmi që ka shpëtuar është “burri me kapele”, për të cilin hetuesit duke se nuk kanë asnjë informacion.
Hetuesit thanë se ai la aeroportin në këmbë menjëherë pas shpërthimit duke kaluar përmes lagjes Zaventem, ku besohet se ka hedhur xhaketën për t’u shfaqur më pas në rrugët “Grote Daalstraat” dhe “Chausee de Louvain”.
Në një tjetër zhvillim, për të dyshuarin e sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam nuk do të ketë ekstradim drejt Francës për të paktën disa javë. Lajmi u njoftua nga avokati i të akuzuarit, sipas të cilit autoritetet belge kërkojnë më shumë kohë për të hetuar lidhjen e tij me një shkëmbim zjarri me policinë më 15 mars.
Sipas hetuesve, gjurmët e gishtërinjve të Abdeslam u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga Mohamed Belkaid, algjeriani që gjeti vdekjen në shkëmbimin e zjarrit të kësaj date.
/ Top Channel