Sali Berisha u mor dje zyrtarisht i pandehur nga SPAK në lidhje me hetimin për privatimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” dhe iu komunikuan akuzat.
Në dosjen 500-faqëshe të SPAK, evidentohet edhe vendimi për ndryshimin e destinacionit për ndërtim, ku del firma e Edi Ramës si kryetar i KRRT-së së Tiranës në atë kohë në cilësinë e kryebashkiakut.
Juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, e konsideron falsifikim nga ana e SPAK këtë dokument, që sipas tij mban firmën e Ramës por përgjegjësia penale i është atribuuar ish-Kryeministrit Berisha.
“Çështja e ndryshimit të destinacionit fillon në datë 16.5.2006 pa kërkesën e pronarëve nga Këshilli Teknik i KRRT-së Tiranës. KRRT e Tiranës në atë kohë drejtohej nga Edi Rama. Ky vendim ndryshon destinacionin e kësaj zone duke e kthyer në një zonë banimi. SPAK cilëson Berishën si drejtues të KRRT së Tiranës, nuk thotë i KRRTRSH-së. Herën e parë te materiali 200-faqësh i gjykatës mund të cilësohej lapsus. I përsëritur sot pas 1 viti, sigurisht nuk është lapsus, është falsifikim i pastër”, thotë Ivi Kaso.
Por ndryshe mendojnë gazetarët Eni Ferhati dhe Glidona Daci. Eni Ferhati ka hedhur poshtë këtë pretendim të Ivi Kasos, duke thënë se vendimi përfundimtar, që evidentohet gjithashtu në dosjen e SPAK, është dhënë nga Sali Berisha në cilësinë e kreut të KRRTRSH -së si Kryeministër në atë kohë dhe në këtë mënyrë ka hyrë në fuqi.
“SPAK thotë ndryshe, që kur janë firmosur kontratat noteriale qoftë për përfaqësimin e tagrave nga z.Malltezi qoftë nga kompania HomePlan, i premtohej familjeve pretenduese të pronave që do merrej përsipër edhe ndryshimi i destinacionit të pronës. Pika e fundit e këtij dokumenti që ju prezantuat thotë ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH-ja qëndrore që drejtohej nga z.Berisha. Ky vendim është i Qershorit 2006, 3 muaj më vonë ky vendim në fuqi dhe nga z.Berisha në Nëntor. Pika 4 thotë ky vendim hyn në fuqi kur miratohet nga KRRTRSH-ja. Pse nuk e refuzoi?”, shprehet gazetari Eni Ferhati.
/a.r