Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj ishte i ftuar në Debat në A2 CNN ku tregoi me detaje atë që ndodhi në ambientet e Strukturës së Posaçme, ku ish-kryeministri në arrest shtëpie, u paraqit mesditën e së mërkurës për t’u njohur me akuzat.
Gjokutuaj tha se i gjithë hetimi për Berishën nuk është bërë sipas procedurës, dhe shtoi se brenda tij nuk ka asnjë provë apo implikim të emrit të ish-kryeministrit.
“Ne ishim informuar mbi natyrën e seancës. Në ftesën e SPAK që na kishte bërë thuhej për komunikimin e akuzës dhe pyetjes së Berishës. Ne u përballëm me një material prej 500 faqesh që është vendimi për komunikimin e akuzës, për marrjen si të pandehur, bashkë me dhëndrin. E vërteta e hidhur është se tabloja e tetorit të shkuar është përsëritur. E gjithë tabloja e hetimit nuk është bërë sipas kodit të procedurës, por ky hetim ka ecur pa prova dhe nuk përmendej emri i Berishës gjatë gjithë hetimit”, tha Gjokutaj.
/a.r